Rudolf Turkaj transferohet në Francë, “vjen nga vendi i shqiponjave”

Rudolf Turkaj, në provën e parë në futbollin evropian. Mbrojtësi 28-vjeçar lezhjan është transferuar në Kategorinë e Tretë të Francës, te Martigues.

Në njoftimin e dhënë nga klubi jugor, zbulohet se Turkaj ka hedhur të zezën mbi të bardhë pasi bindi në ndeshjet kontrolluese kundër Grasse dhe Hyères.

“Mbrojtësi shqiptar 28-vjeçar, mëngjarash, i aftë për të luajtur si në qendër ashtu edhe në krah, do të përjetojë kështu eksperiencën e tij të parë jashtë Ballkanit.

Ai vjen nga KF Laçi, klub i Kategorisë Superiore shqiptare, me të cilin ka marrë pjesë në disa ndeshje të Europa League dhe Conference League. Ne e mirëpresim afrimin tonë të tetë, i pari nga vendi i shqiponjave, që do të veshë fanellën e ekipit tonë,” shkruhet në njoftim.

Sezonin e kaluar, Turkaj është aktivizuar në 29 ndeshje të Kategorisë Superiore (ka shënuar një gol), tri sfida i numëron në Kupën e Shqipërisë dhe katër në Conference League.


Shtuar 17.08.2023 18:29