Sulmoi gazetarin, autori mik me gjithë politikanët (FOTO LAJM)

Fitim Thaqi, i dyshuari për rrahjen e gazetarit Vehbi Kajtazi kishte afërsi me të gjithë politikanët e lartë të shtetit.

Policia po kërkon Fitim Thaqin, i cili dyshohet se rrahu ditën e djeshme kryeredaktorin e gazetës online Insajderi, Vehbi Kajtazi.

Por i dyshuari, 30 vjeç, për kapjen e të cilit policia po kërkon ndihmën e qytetarëve duket që ka afërsi me zyrtarë të lartë shtetëror vendas.

Në llogarinë e tij në Facebook, Thaqi ka fotografi me të parin e PDK’së dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli e politikanë të tjerë.

Po në Facebook ai shihet në fotografi me Azem Sylën, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës si dhe me Milaim Zekën, deputet aktual i Kuvendit nga radhët e Nismës për Kosovën.

Gazetari dhe kryeredaktori i "Insajderit", Vehbi Kajtazi, ishte sulmuar fizikisht në një lokal në qendër të Prishtinës.

Dje për sulmin ndaj Kajtazit ishte arrestuar edhe Faton Ramadani, pjesëtar i familjes së rastit ‘Kiçina’.

Ai më pas është liruar dhe e ka mohuar të ketë marrë pjesë në sulm, edhe pse e ka pranuar se në atë kohë ishte në një lokal afër vendit ku kishte ndodhur sulmi ndaj gazetarit Kajtazi.
Shtuar më 14/10/2017, ora 21:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori