Strukturat paralele në veri, pranë legalizimit
Zyrtarët e lartë amerikanë kanë shtuar presionin mbi Beogradin lidhur me çështjen e veriut të Kosovës. Ata kanë kërkuar zgjidhjen e problemit të strukturave paralele serbe, sa më parë, për shkak se po duan që problemin e veriut të Kosovës patjetër ta përmbyllin këtë vit, bëjnë të ditur për "Zëri" burime ndërkombëtare.

Gazeta ka mësuar se kryeministri Ivica Daçiq, i cili gjendet për momentin për vizitë zyrtare në Uashington, është takuar me zyrtarë të lartë atje, dhe kanë biseduar pikërisht për këtë temë.

Nga ana tjetër, burime të gazetës të afërta me ekzekutivin serb kanë thënë se Daçiq ka rënë dakord jo që t’i heqë këto struktura nga veriu, por t’i legalizojë ato.

"Pra, ai do të pranojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale, të udhëhequra nga OSBE në Kosovë, dhe kështu strukturat e njëjta atje, nga ilegale të bëhen legale", tha një zyrtar serb në Beograd.

Se presioni ndërkombëtar është shtuar në këtë drejtim, e ka pranuar edhe vetë kryeministri serb.

"Të gjithë faktorët ndërkombëtarë, përfshirë këtu BE-në dhe SBA-në, dëshirojnë që të vazhdojë dialogu mes Prishtinës e Beogradit dhe tema veri të zgjidhet. Por, ata e dinë që ne asnjëherë nuk do të pranojmë pavarësinë e Kosovës, por ajo që do të bëjmë është të gjejmë një modalitet për zgjidhjen e problemit të strukturave paralele", citohet të ketë thënë Daçiq për Radion Evropa e Lirë.

Për këtë çështje ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka bërë të ditur se në takimin e radhës me homologun e tij serb, më 22 shkurt në Bruksel, do të bisedojë më gjerësisht për strukturat ilegale serbe në veri.

Gjatë një interviste dhënë për të përditshmen vjeneze “Die Presse”, Thaçi ka thënë se më 22 shkurt do të kërkoj nga Beogradi që sa më parë t’i heqë strukturat ilegale nga veriu, dhe po ashtu ka treguar për diskutimet që tashmë ka pasur me Daçiqin, lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, sipas ligjeve të vendit, por me një votim të organizuar nga OSBE-ja.

Sidoqoftë, edhe pse Thaçi, bashkë me zyrtarët tjerë të Kosovës, kërkojnë shpërbërjen e këtyre strukturave, tashmë është kuptuar se bëhet fjalë për legalizimin e tyre, e jo heqjen.

Për këtë shprehen të sigurt edhe analistët në Prishtinë.

Njëri prej tyre, Nexhmedin Spahiu, tha për “Zëri” se në muajin qershor pritet një marrëveshje me anë të së cilës do të legalizohen këto struktura.

“Pra, ky është kompromisi, që ne t’i njohim ato struktura, e jo ato neve. E kjo vjen si pasojë e dështimeve tona, të turpshme të 25 korrikut, dhe tani do të paguajmë çmimin e atij dështimi”, tha Spahiu.

Qershori është muaji kur ka përfunduar lufta NATO-Serbi, është muaji që shënon 14 vjet pas Rezolutës 1244, prandaj edhe do të përdoret si muaj i një marrëveshjeje të re, mes palëve, tha Spahiu.

Ndërkaq, analisti Behxhet Shala thotë se shumë kohë më parë e ka paraparë se muaji qershor 2013, do të jetë kohë e vendimeve të mëdha.

E kjo, sipas tij, do të ndodhë medoemos, për shkak se si Brukseli, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara janë lodhur dhe nuk duan që më tepër të merren me problemin Kosovë-Serbi.

Edhe Shala beson se do të ndodhë legalizimi strukturave ilegale atje e jo shpërbërja, siç e thotë Thaçi.

Ai madje, duke përmendur deklaratat e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, në këtë rast të ministrit të Brendshëm Bajram Rexhepi, i cili ka thënë disa herë se këto struktura do të shpërbëhen dhe ata që kanë bërë krime do të arrestohen, Shala thotë :"Këta nuk po mund t’i arrestojnë njerëzit afër vetes, e lëre më të arrestojnë njerëz në veri". /albeu.com/
Shtuar më 09/02/2013, ora 12:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori