Stefanovic piroman i kufirit
Xhirimet e regjistruara nga kamerat tash të shkatërruara të kufirit verior mes Kosovës dhe Serbisë, Porta 1 apo Jarinje, nxjerrin shumë gjëra në shesh, jo vetëm identitetin e atyre që morën pjesë në demolimin e saj.

Serbët, që ndër të tjera edhe i vunë flakën Portës 1, duket se kanë qenë në dijeni se çfarë mund të zbulojnë këto kamera, për atë edhe gjëja e parë që kanë bërë kur e kanë nisur realizimin e planit të tyre, ka qenë shkatërrimi i kamerave.

Temperaturat tejet të larta të shkaktuara nga flakët kanë shkatërruar në tërësi edhe pajisjet ku memorizohen xhirimet e atyre kamerave, duke iu krijuar kështu bindjen serbëve se do gjë është e sigurt për ta.

Sidoqoftë, ata që kësaj radhe janë treguar një hap para grupit të radikalëve serbë kanë qenë përgjegjësit e Doganave të Kosovës, të cilët me një kamerë të veçantë kanë xhiruar gjatë gjithë kohës pamjet që kanë ardhur “live” në 16 monitorët e kamerave të sigurisë në Prishtinë.

I gjithë materiali tashmë i është dorëzuar Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe ekipit të përbashkët që po zhvillon hetimet për këtë çështje.

”Zeri’ ka arritur të sigurojë materialin filmik i cili ka rrjedhur jashtë zyrave të ekipit hetues, ndërsa ato mundet lirisht të verifikojnë përfshirjen e shtetit serb në shkatërrimin e pikës kufitare.

E para që mund të thuhet është se të gjithë serbëve të përfshirë u shihen qartë fytyrat pak minuta para se t’i mbulonin ato me bluzat e hequra nga trupi apo gjësende të tjera. Identifikimi i tyre përmes këtyre pamjeve duket të jetë një gjë e sigurt, ndonëse deri më tash, megjithëse kanë kaluar jo pak ditë, asnjëri nga ata nuk është arrestuar.
Shtuar më 01/10/2011, ora 09:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori