Spitali i Gracanicës pas falimentimit kërkon ndihmë nga Serbia
Spitali në Graçanicë po shkon drejt mbylljes për shkak të borxheve ndaj furnitorëve të cilat arrijnë nq miliona dinarë, si dhe llogarive të bllokuara. Ky spital prej disa muajsh nuk ka barna dhe mjetet e domosdoshme për vijimin normal të punës. Gjithashtu edhe urgjenca ka ndërprerë shërbimet, shkruan B92.

Në këtë situatë janë përjashtuar tërësisht institucionet e Kosovës dhe menaxhmenti i Shtëpisë së shëndetit ka paralajmëruar Ministrinë e Shëndetësisë së qeverisë së Serbisë që t'a zgjidh këtë problem. Megjithatë deri tani njoftohet se nuk ka ardhur asnjë ndihmë e asnjë përgjigje zyrtare nga Serbia.

“Nuk jemi në gjendje të ofrojmë shërbime, pasi që nuk kemi mjete për punë”. Ky është njoftimi i vendosur në hyrje të shërbimit të Ndihmës së shpejtë në Graçanicë.

Drejtuesit e Shtëpisë së Shëndetit shprehen se borxhin e kanë trashëguar nga menaxhmenti i kaluar. Ish-drejtoresha Rada Trajkoviq, hedh poshtë pretendimet se borxhet kanë mbetur nga koha kur ajo udhëhiqte këtë institucion.

“Shtëpia e shëndetit në Graçanicë ofron shërbime shëndetësore për afro 30.000 mijë njerëz në Kosovën qendrore. Rrezikon edhe me mbyllje nëse nuk shlyhet borxhi ndaj furnitorëve”, thekson Dr. Rada Trajkoviq, ish- Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit.

Ndërsa Nebojsha Stoiljkoviq nga Sindikata e Shtëpisë së shëndetit, shpjegon se “Pa barna dhe mjetet e domosdoshme për punë, pacientët vijnë vetëm për kontrolle ndërsa sipas nevojës ata dërgohen në qendra të tjera në Serbinë qendrore”. /albeu.com/
Shtuar më 07/04/2014, ora 10:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori