Sot nis gjykimi për "të fortët" e aferës Pronto
Në ulëset e të akuzuarve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, gjatë kësaj jave, për akuza për vepra të ndryshme penale pritet të ulen ministra dhe deputet aktualë, por edhe ata që më herët kanë mbajtur këto pozita.

Ministri aktual i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, ish-shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Adem Grabovci dhe ish-Ministri i Punëve të Brendshme Zenun Pajaziti, tash deputet i PDK-së, në rastin e njohur si “Pronto”, më 1 tetor 2018, në ora 9:30, së bashku edhe me tetë persona të tjerë, pritet ta dëgjojnë aktakuzën që i rëndon ata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Bashkë me Grabovcin, Beqajn e Pajazitin, të akuzuar në këtë aktakuzë janë edhe Nijazi Kryeziu, Arbenita Pajaziti, Xhavit Dakaj, Ilhami Gashi, Sedat Gashi, Fatmir Shurdhaj, Ismet Neziraj dhe Rexhë Abazi.

11 të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Prokuroria pretendon se pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës dhe pozita të tjera, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj.

Një ditë më vonë, më 2 tetor 2018, lidhur me akuzat për veprat penale “mashtrimi”, “shmangia nga tatimi”, si dhe “pastrimi i parave”, pritet të mbahet seanca fillestare ndaj deputetit aktual të “Nismës Socialdemokrate”, Milaim Zeka.

Bashkë me Zekën, pjesë e kësaj aktakuze është edhe Ilir Krasnqi e Edmond Kërliu.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit Zeka dhe Krasniqi nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjenci punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Ndryshe, në këtë rast, prokurori i PSRK-së Afrim Shefkiu, ka propozuar të dëgjohen 907 dëshmitarë.

Zeka aktualisht, gjendet në masën e paraburgimit, pas pretendimeve se i njëjti në një emision televiziv ka kanosur prokurorin Shefkiu.

Ndryshe, të dy këto proces gjyqësore pritet të fillojnë sipas aktakuzave të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.


Shtuar më 01/10/2018, ora 09:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori