Sot mbahen homazhe për publicistin Ramiz Kelmendi, Mustafa ngushëllon familjen
Pëlqej
Publicisti Ramiz Kelmendi, njëri nga shkrimtarët dhe gazetarët e parë të Kosovës, i cili njihet për vlerat artistike që solli në letrat shqipe, ka ndërruar jetë ditën e djeshme.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Adriatik Kelmendi, i cili ka shkruar në Facebook se: "Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjarë, miq e dashamirë, ju njoftoj se sonte u nda nga jeta axha im, që e kisha shumë më shumë se axhë, Ramiz Kelmendi, në moshën 86-vjeçare. Për detaje të ceremonive mortore ju njoftojmë ndërkohë".

Sot në orën 10:30 në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të zhvillohen homazhe para arkivolit të gazetarit, publicistit dhe profesorit Ramiz Kelmendi.

Varrimi i të ndjerit di të bëhet sot në varrezat e Prishtinës në orën 14:00.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka ngushëlluar familjen Kelmendi dhe qytetarët e Kosovës pas ndarjes nga jeta të publicistit Ramiz Kelmendi.

Mustafa ka thënë se ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është humbje e madhe për gazetarinë, letërsinë dhe kulturën kosovare në përgjithësi.

"Ramiz Kelmendi do të mbahet mend si një intelektual erudit, i cili dha kontribut të shquar në zhvillimin e gazetarisë, krijimtarisë letrare dhe fushave të tjera të kulturës në Kosovë.

Kosova ka humbur një mendje të ndritur i cili do të përkujtohet përherë", thuhet në mesazhin e kryeministrit Mustafa.
Edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka ngushëlluar familjen Kelmendi.

"Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Ramiz Kelmendi. Profesor Kelmendi ishte një atdhetar, shkrimtar dhe gazetar i shquar i Kosovës, por mbi të gjitha ishte mësimdhënës i dalluar.

Ai dha kontribut të madh sidomos në përgatitjen e gazetarëve të rinj, duke shënuar kështu edhe një etapë të re të arsimit: fillimin e arsimit të lartë privat", thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

"E gjithë vepra e tij jetësore dhe vlerat e larta njerëzore e bëjnë madhështore dhe të pazëvendësueshme figurën e profesor Ramiz Kelmendit. Ju lutem që në emër të Ministrisë së Arsimit, të Shkencës dhe Teknologjisë dhe në emër timin, t'i pranoni ngushëllimet më të sinqerta", thuhet në mesazh.

Familjes Kelmendi telegram ngushëllimi i ka dërguar edhe ministri i Kulturës, Kujtim Shala.

"Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e të dashurit tuaj, të shkrimtarit dhe të gazetarit tonë të respektuar, Ramiz Kelmendit.

Ndarja nga jeta e Ramiz Kelmendit është një humbje e rëndë jo vetëm për ju, por edhe për kulturën dhe për letrat shqipe.

Shkrimtari i njohur, Ramiz Kelmendi, me një sërë veprash të zhanreve të ndryshme, si: letrare, gazetareske e publicistike, është një nga themeluesit e jetës letrare e kulturore të Kosovës. Ai, me krijimtarinë e tij, ishte përkushtuar, siç thoshte vetë, të shkruante për jetën", thuhet në telegram. /albeu.com/
Shtuar më 12/01/2017, ora 10:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori