Sot heshtje zgjedhore, Kosova nesër rivoton në disa komuna
Nesër në Kosovë rivotohet në pesë komuna, por procesi i zgjedhjeve parlamentare nuk përfundon atë ditë. Parregullsitë e shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit çuan në rinumërimin e votave nga 40 për qind të vendvotimeve dhe rezultatet e këtij rinumërimi mund të çojnë në anulim votimesh në disa qendra e madje edhe në rivotim.

Gjykata e Lartë e Kosovës morri dje vendim për përsëritjen e zgjedhjeve në të paktën 24 qendra të votimeve në komunën e Mitrovicës. Në tërësi, kjo komunë kishte 29 qendra të votimit. Zgjedhjet do të përsëriten në Drenas, Skënderaj dhe Deçan, si dhe në qendrat e votimit të caktuara në Lipjan dhe Malishevë.

Nga mbrëmë në mesnatë dhe gjatë gjithë ditës së sotme do të jetë heshtje zgjedhore. Të gjitha këto vendime pasuan parregullsitë e shfaqura në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Kandidatët e partive politike, në komunat e lartpërmendura, kanë pasur kohë vetëm tri ditë që t’i përsërisin premtimet para qytetarëve dhe të shpalosin programet e tyre. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për zgjedhjet e 9 janarit.

Zgjedhjet e nesërme do të monitorohen nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Janë akredituar 2.565 vëzhgues. Nga këta, vëzhgues vendorë janë 2.213, vëzhgues ndërkombëtarë janë 352.

KQZ-ja ka konfirmuar se numri i përgjithshëm i votuesve në komunat ku do të përsëriten zgjedhjet, është 133, 221 votues. Institucioni për organizimin e këtyre zgjedhjeve ka njoftuar, po ashtu, se të dielën do të hapen 60 qendra votimi me 178 vendvotime.
Shtuar më 08/01/2011, ora 10:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori