Sot është një ditë e bukur për Ballkanin Perëndimor
Pëlqej
Koment nga Ervin Shkulaku

Pas atij referendumi në Maqedoni sa është rikthyer shpresa pasi kuvendi ka kaluar me 80 vota kërkesën për ndryshimet kushtetuese që do t'i hapë rrugën kalimit të marrëveshjes së Prespës me Greqinë. Këto vota u siguruan edhe me votimin e disa deputetëve të opozitës të cilët lanë pas të shkuarën e errët dhe vendosën të jenë me të ardhmen.

Ky vendim është ogur i mirë për shtetet e Ballkanit Perëndimor që shumë prej tyre kanë marrëveshje për të lidhur me njëra-tjetrën që janë kusht për integrimin në BE.

Për Maqedoninë ishte e qartë nga Bashkimi Evropian se kjo marrëveshje me Greqinë është tejet e rëndësishme saqë pa të nuk ka anëtarësim në BE. E normalisht ngecja e Maqedonisë do të ndikonte edhe në shtetet e tjera dhe do të shkaktoheshin vonesa për hyrjen në BE. Por deri në këto momente gjithcka duket se po shkon me sukses.

Pas Maqedonisë sfida më e vështirë do të jetë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Flitet për një marrëveshje të dhimbshme nga të dyja palët pa u specifikuar por që pritet të shkaktojë reagime nga të dyja shtetet. Në Serbi, ortodoksët janë kundër një marrëveshje pasi sipas tyre e gjithë Kosova është e Serbisë.

Këtë e përsëriti para dy ditësh edhe patriarku i Serbisë Irinej i cili gjatë një vizite në Decan të Kosovës tha:

“Asnjë ndarje. Unë nuk mund të kuptoj se si Prizreni, ku unë kam qenë mbi 15 vjet, të jetë në një shtet tjetër, pastaj Patriarkana e Pejës, Deçanit, Graçanicës… Kjo nuk hyn në kokën time e aq më pak në zemrën time. Do të shohim. Po gatuhen gjëra, pjesërisht po ndryshohen dhe ndoshta do të dalim nga kjo baltë në të cilën jemi".

Ndërkaq edhe nga pala kosovare duket se nuk do ta pranojnë këtë marrëveshje të dhimbshme pasi pretendohet se Veriu i Kosovës do t'i jepet Serbisë dhe do të merret e tërë Lugina e Preshevës.

E megjithatë të dyja e dinë shumë mirë se me patjetër duhet të arrinë një marrëveshje që të ecë integrimi evropian.

Kurse më e thjeshtë duket marrëveshja për kufirin detar Shqipëri-Greqi. Edhe pse kjo kundërshtohet nga opozita nuk pritet të ketë ndikim pasi është një opozitë e dobët dhe e paqëndrueshme.

E situata duket më e lehtë për Malin e Zi i cili e arriti marrëveshjen e demarkacionit me Kosovën dhe duhet vetëm të vazhdojë reformat dhe luftimin e krimit të organizuar në vend.

Prandaj, sot është një ditë e bukur pasi marrëveshja Maqedoni-Greqi është një ogur i mirë për Ballkanin Perëndimor i cili nëse hyn në BE në vitin 2025 do të lulëzojë shumë më shpejt sa e mendojnë zyrtarët e BE-së./albeu.com

Shtuar më 20/10/2018, ora 07:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori