Sot del para gjykatës organizata "Syri i Popullit"
Seanca fillestare ndaj 10 të akuzuarve të dyshuar si pjesëtar të “Syrit të Popullit”, do të mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Përveç Murat Jasharit, të akuzuarit tjerë të këtij procesi gjyqësor janë Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topllana, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha.

Prokuroria Speciale ngritI aktakuzë ndaj tyre më 28 shkurt.

10 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale hakmarrje në ndihmë, dhunim, përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe hakmarrje.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj të akuzuarve si pjesëtarë të “Syrit të Popullit”.

Sipas aktakuzës, organizata kishte grupe guerile, ndërsa kërkonte që Enver Hoxha të njihej si hero.

Murat Jasharit, njërit nga të akuzuarit e këtij grupi i është caktuar trajtimi psikiatrik.

Murat Jashari e Avni Llumnica u arrestuan si të dyshuar për plagosjen e avokatit Azem Vllasi që ishte njëri nga udhëheqësit kosovarë të periudhës komuniste.


Shtuar më 29/03/2018, ora 09:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori