Sllovakia ende nuk e njeh Kosovën
Sllovakia nuk do ta njohë Kosovën dhe kjo nuk është çështje politike, por qëndrim i mbarë i shoqërisë. Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajaçak në një intervistë për agjencinë Tanjung, citon rtk.

Sipas tij, vendi i tij konsideron se Serbia ka bërë sa duhet për ta merituar ftesën e BE-së për fillimin e negociatave mbi anëtarësim dhe ka shfaqur shpresën se ai vendim do të favorizohet më 28 qershor, duke vlerësuar se Qeveria e Serbisë ka marrë vendime të mira dhe ka treguar se është serioze dhe e përgjegjshme ndaj të ardhmes së vendit dhe qytetarëve.

Duke komentuar paralajmërimin e kryeministrit rumun Viktor Ponta se javën e ardhshme do të bisedojë me kolegun sllovak Robert Ficin mbi njohjen eventuale të pavarësisë së Kosovës, Lajçak është përgjigjur:

“Kur njerëzit më pyesin kur do ta ndërrojë Sllovakia qëndrimin ose pse ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin e vet, unë i pyes a kanë dëgjuar ndonjë politikan, a kanë lexuar ndonjë artikull, kanë dëgjuar ndonjë gazetar, përfaqësues të organizatave joqeveritare apo qytetar i cili ka thënë se Sllovakia duhet ta njoh Kosovën. Nuk kanë dëgjuar”.

Ky qëndrim, sipas fjalëve të tij, mbështetet në rezolutën e Parlamentit sllovak por është përqafuar në mbarë shoqërinë.

“Kjo nuk është çështje e vendimit politik, veç shprehje e gjendjes në shoqëri ashtu që kur kryeministri Ponta të vijë javën e ardhshme, jam i sigurt se do të marrë përgjigje të njëjtë nga kryeministri im”, ka nënvizuar Lajçak./albeu.com/
Shtuar më 05/06/2013, ora 14:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori