Vdekja e tregtarit të armëve në Tiranë trondit Poloninë, jep dorëheqjen kreu i Shërbimit Sekret të Jashtëm

Vdekja e një tregtari të armëve në Tiranë ka tronditur Poloninë.

Të enjten, më 4 gusht, kreu i Agjencisë së Inteligjencës së Jashtme, Piotr Krawczyk dha dorëheqjen. Ka qenë media polake “Wprost” që ka konfirmuar lajmin.

Zëdhënësi i ministrit-koordinator të shërbimeve sekrete, Stanisław Żaryn, informoi për dorëheqjen e Piotr Krawczyk, kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Jashtme. Siç tha ai, arsyeja në këtë rast ishte personale. Ndërsa shtoi në një deklaratë për shtyp në Twitter, “procedurat e parashikuara në këtë situatë janë në vazhdim”.

Sipas informacioneve nga gazetarët polak, Piotr Krawczyk duhej të jepte dorëheqjen për shkak të një rasti të lidhur me vdekjen e një tregtari armësh nga i cili qeveria polake bleu respiratorë. Prandaj, shkarkimi i tij duhej të paraprihej nga një kërkesë për një hap të tillë. Shërbimet nuk e konfirmuan këtë informacion, por të pyetur nuk e mohuan që dorëheqja e Krawczyk do të ndodhte realisht.

Vdekja misterioze në Shqipëri e një tregtari armësh që shiti respiratorë në Poloni

Informacioni i parë jozyrtar për vdekjen e Andrzej I. u shfaq më 19 korrik . U bë  me dije se për një burrë polak në Tiranë është lëshuar certifikata e vdekjes. Më pas u raportua se trupi i Andrzej I. nuk ishte transportuar ende në Poloni. – Faktin e vdekjes e konfirmuam, direkt në Shqipëri dhe Europol.

71-vjeçari Andrzej I. do të largohej nga Polonia në fund të vitit 2020. Më parë, ai nuk kishte dorëzuar pjesët e respiratorëve të porositur nga qeveria polake. Një vit më parë, u zbulua se Ministria e Shëndetësisë kishte blerë mbi një mijë respiratorë, duke shpenzuar 200 milionë PLN (42 milionë euro). Gjithçka ndodhi kur ministria drejtohej nga Łukasz Szumowski, dhe Janusz Cieszyński, atëherë zëvendësministër i shëndetësisë, ishte përgjegjës për nënshkrimin e kontratës.

Skandali shpërtheu kur rezultoi se respiratorët ishin blerë nga kompania E&K , e cila drejtohej ndër të tjera nga një tregtar armësh dhe departamenti mori vetëm 200 nga 1241 respiratorë të porositur. Për më tepër, rezultoi se pajisjet nuk kishin dokumentacionin e duhur, megjithëse 154 milionë PLN shkuan në llogarinë e tregtarit. Të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se ministria ka rikuperuar gjysmën e shumës që kishte paguar në atë kohë. Një pjesë e pjesës tjetër të detyrimit do të mbulohej nga ankandi.

Kush është tregtari i armëve që vdiq në Shqipëri?

Andrzej Izdebski, një tregtar famëkeq armësh i përfshirë në një prokurim të ndotur nga skandali të ventilatorëve mjekësorë në Poloni, vdiq papritur në Tiranë, në moshën 71-vjeçare. Çuditë rreth vdekjes ndezën spekulime se ishte inskenuar.

Emri Andrzej Izdebski, i cili në kohën e komunizmit në Poloni kishte punuar për policinë sekrete, nuk ishte krejtësisht i panjohur në Shqipëri.

Në vitin 2011, Izdebski regjistroi dy biznese në Shqipëri – Unimesko, një kompani me qëllimin e deklaruar të përfshirjes në marrëveshjet e armëve dhe një tjetër me emrin Wind Sun Water Initiative, biznesi i të cilit ishte energjetika. Partnerja e tij në atë biznes ishte Liljana Zyla, bashkëshortja e Ylli Zylës. Të dy kompanitë kishin të njëjtën adresë: pallatet Matriks, pranë Gjykatës së Tiranës.

Kompania në të cilën partnere ishte Liljana Zyla, ishte objekt i një valë akuzash në media dhe nga Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë. Socialistët akuzuan Ylli Zylën, në atë kohë kreun e agjencisë së inteligjencës ushtarake SHIU dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë për përfshirje në tregti të paligjshme armësh dhe municionesh. Zyla dha dorëheqjen nga puna, por pretendoi se akuzat kundër tij ishin “sulme imorale dhe të pabaza”.

Dy vjet më vonë, në vitin 2014 kur socialistët morën pushtetin, Ministria e Mbrojtjes shkarkoi Zylën nga posti i tij në atë kohë si kreu i policisë ushtarake të vendit dhe ngriti akuza ndaj tij për përgjim të paligjshëm të Partisë Socialiste. Akuzat nuk arritën në gjykatë, ndërsa Zyla arriti të rifitonte uniformën e tij duke paditur Ministrinë e Mbrojtjes në një gjykatë administrative dhe duke fituar. Prej vitit 2021 ka komandën e Qendrës së Stërvitjes pranë Komandës së Logjistikës së Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Megjithatë, ndërsa problemet e Zylës mund të kishin përfunduar, Izdebski u përball me probleme të tjera përsëri në Poloni pasi fitoi një kontakt 44.5 milionë euro për të furnizuar Ministrinë e Shëndetësisë të vendit me pajisje mjekësore në vitin 2020.

Sipas kontratës, Izdebski ishte i detyruar të furnizonte deri më 30 qershor 2020 rreth 920 respiratorë. Me botën e kapluar nga pandemia COVID-19, çmimi i paguar ishte tre herë mbi normën normale, i justifikuar me argumentin se respiratorët ishin jetikë dhe nevojiteshin menjëherë. Megjithatë, ndërsa shumë vende po luftonin për furnizimet e pakta të nevojshme për të trajtuar pacientët me COVID-19, Izdebski, i cili është akuzuar, ndër të tjera, për shkelje të një embargoje armësh duke furnizuar Kroacinë gjatë Luftërave Ballkanike të fillimit të viteve 1990, nuk arriti të përmbushë detyrimet në kohë.

Kur Izdebski arriti të blinte disa nga pajisjet, Ministria e Shëndetësisë polake refuzoi t’i pranonte ato, duke i lënë në ruajtje në aeroportin e Varshavës. Kjo i ka lënë biznesmenit 71-vjeçar të paktën 8 milionë euro borxh ndaj qeverisë. Fatura përfundimtare mund të jetë edhe më e lartë pasi u hapën hetimet për dyshimet se respiratorët ishin të padobishëm dhe se riparimet do të kushtonin shumë.

Nën hetim në vendin e tij, Izdebski zgjodhi të jetonte në Tiranë. Sipas prokurorisë së qytetit Lublin, vendlindja e Izdebski, ai u largua nga Polonia më 9 dhjetor 2020.

“Andrzej I. nuk u thirr në prokurori për t’u akuzuar sepse dihej se i dyshuari nuk ishte i pranishëm në shtëpinë e tij,” shpjegoi Karol Blajerski, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit Rajonal të Lublinit.

Izdebski u vu në listën e të kërkuarve të vendit në mars 2022 pas akuzave të deputetëve polakë se ai nuk kishte paguar TVSH-në për respiratorët që i kishte shitur Ministrisë së Shëndetësisë.

Megjithatë, gjatë asaj kohe Izdebski ishte në Tiranë, duke u përpjekur të ndërtonte biznese të reja me miqtë e tij të vjetër.

Vdekje e papritur

Dëshmitë dhe konkluzionet nga hetimi i Prokurorisë së Tiranës, të dhëna për BIRN dhe Wyborcza Gazeta, tregojnë se 71-vjeçari polak filloi të ndihej keq në mesditë të së shtunës së 18 qershorit.

Myftari tha se këtë e ka mësuar “nga shoku i tij” atë ditë kur kanë dalë për drekë në fshatin Shëngjergj, rreth 50 kilometra në lindje të Tiranës. Pas drekës, ndërsa të tjerët dolën në shëtitje, Izdebski u tha se do të qëndronte prapa sepse nuk ndihej mirë.

Myftari tha se Zyla i ofroi ta shoqëronte në spital, por ai nuk pranoi.

Tomorr Baruti, administratori i pallatit ku banonte Izdebski, tregoi gjithashtu për BIRN se si Zyla i tha më 20 qershor, pasi Izdebski ishte gjetur i vdekur, se duhej të kishte këmbëngulur për ta shoqëruar në spital.

“Ai u ndje keq që nuk këmbënguli mjaftueshëm”, tha Baruti.

Zyla kishte tentuar fillimisht ta telefononte. Baruti tha se Izdebski nuk iu përgjigj telefonatave, kështu që ai shkoi ta kontrollonte në banesë.

Kur Izdebski nuk iu përgjigj trokitjes në derë, Zyla thirri policinë dhe zjarrfikësin, të cilët e gjetën të vdekur brenda. Naim Tota, prokurori që po heton rastin, tha se në trupin e tij nuk kishte shenja dhune. Një oficer policie, i cili foli në kushte anonimiteti, shtoi se fakti se dera ishte e mbyllur nga brenda përjashtonte lojën e keqe.

Tota shtoi se për momentin nuk kanë arsye të hetojnë çështjen për asgjë tjetër përveç vdekjes nga shkaqe natyrore. Arens Çela, drejtor i prokurorisë së Tiranës, tha se hetimet e mëtejshme mund të ndërmerren vetëm nëse informacionet e reja tregojnë për një shkak tjetër vdekjeje.

Të pyetur për të kaluarën e Izdebskit, prokurorët e Tiranës pretenduan se nuk ishin në dijeni të saj dhe se autoritetet polake nuk i kishin kontaktuar në lidhje me hetimin për vdekjen e tij. Personat e vetëm të interesuar ishin familjarët që kishin marrë trupin e tij nga morgu i qytetit të Tiranës.

Autoritetet në Tiranë janë megjithatë në pritje të rezultateve të ekzaminimeve toksikologjike nga Shërbimet e Mjekësisë Ligjore për mbylljen e çështjes.

Myftari, i cili kishte frikë se vdekja e papritur e biznesmenit mund t’i shkaktonte telashe, u qetësua kur një nga mjekët me të cilët kontaktoi i tha se vdekja ishte për shkaqe natyrale. Ai tani do të donte të fshinte emrin e tij nga shoqëria e tregtarit të vdekur të armëve, por kjo, me sa duket, nuk është një gjë aq e lehtë për t’u bërë./abcnews.al/