"S'ka patur transplant organesh gjatë luftës"
Pëlqej
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se Kosova duhet ta kalojë edhe një sfidë, raportin e prokurorit të Task Forcës për Hetime Speciale të BE-së, Clint Williamson. Sipas tij, ky raport nuk mund ta dëmtojë imazhin e luftës së UÇK-së.

Në një intervistë për "Epoka e re", Haliti ka thënë se, në rast se do të ketë një proces gjyqësor mbi bazën e raportit të Williamsonit atëherë, sipas tij, do të shfajësohen UÇK-ja dhe NATO-ja.

"Është një proces që do ta shfajësojë nga këto akuza Kosovën, në të njëjtën kohë publikisht do ta shfajësojë edhe NATO-n", ka deklaruar ai.

Në këtë kontekst, ish-anëtari i Shtabit të UÇK-së ka thënë se nuk ka kurrfarë shanse të dëshmohet se gjatë luftës ka pasur trafikim të organeve.

"Një fakt dua ta them, nuk kam besuar dhe nuk besoj kurrë se mund të ketë pasur transplantim të organeve. Nuk ka shans që me këtë çështje të jetë i implikuar Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Nuk jam mjek, por nuk besoj të ketë pasur mundësi të transplantimit të organeve. Edhe vetë serbët kanë dhënë shpjegime se asnjëri e as tjetri nuk kanë pasur mundësi të bëjnë transplantim të organeve as në një shtëpi të verdhë e as në një shtëpi të kuqe", është shprehur Haliti.

Xhavit Haliti, i cili është anëtari i Kryesisë së Partisë së Kosovës (PDK), ka folur edhe për situatën e krijuar politike në vend sa i përket formimit të institucioneve të reja.

Ai beson se Gjykata Kushtetuese do ta rikthejë nga fillimi seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës e cila është mbajtur më 17 korrik.

Haliti ka thënë se deputetët e koalicionit LDK-AAK-Nisma kanë bërë gabime të rënda ligjore dhe procedurale gjatë kësaj seance.

“Ata kanë bërë gabime të rënda gjatë seancës konstituive. Nuk jam i sigurt, por besoj se seanca do të rifillojë”, ka deklaruar Haliti.

Pavarësisht kësaj, Haliti ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri stabile, e cila e ka numrin e sigurt të votave për t’i shtyrë proceset përpara.

"Në duhet ta ndryshojmë Kushtetutën, duhet t’i miratojmë disa ligje të cilat janë jo shumë të këndshme për Kosovën dhe që ndërlidhen me Gjykatën Speciale. Po ashtu, duhet ta bëjmë rishikimin e buxhetit sa më shpejt dhe t’i miratojmë në Kuvend vendimet që janë kaluar më herët nga Qeveria e të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin e Kosovës", ka thënë Haliti.

Ai ka bërë me dije se PDK-ja nuk e kundërshton koalicionin qeverisës as me LDK-në, as me AAK-në, as me Nismën.

Haliti ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve të reja mund të sjellë një prolongim të institucioneve.

"Po ashtu, do të krijonte edhe pakënaqësi dhe do ta sillte Kosovën në një situatë jo të këndshme për shkak të proceseve që janë në zhvillim", është shprehur Haliti. /albeu.com/
Shtuar më 02/08/2014, ora 09:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori