S'ka nevojë për zëvendëspresident
Shkarkimi i dy presidentëve brenda një viti nga Gjykata Kushtetuese dhe mbetja vakant e postit të të parit të vendit për një periudhë të konsiderueshme, ka shtuar zërat për nevojën e një zëvendëspresidenti. Kjo kërkesë është paraqitur nga qytetarët gjatë debateve të zhvilluara nga Komisioni për ndryshimet kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së presidentit.

Mirëpo, sipas ekspertëve zgjedhorë, çdo ndryshim kushtetues për zgjedhjen e presidentit duhet të bëhet me shumë kujdes. Sipas tyre, Kosova ka nevojë për një president funksional dhe çdo rritje apo zvogëlim i kompetencave të presidentit hyhet në një proces ku nuk i shihet fundi.

Anëtarja e Komisionit për ndryshimet kushtetuese nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë për gazetën Zëri se, në amendamentet kushtetuese të propozuara, çështja e nënpresidentit është një nga alternativat. “Edhe pse alternativa e parë është që të mbetet ashtu siç ka qenë deri më tash, që në rast të mungesës së përkohshme të presidentit, të shkarkimit apo rasteve të tjera eventuale, ta marrë postin e u.d. të presidentit kryetari i Kuvendit, megjithatë alternativa e dytë është që ta kemi postin e zëvendëspresidentit”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, në rast se do të miratohet alternativa e dytë, atëherë zëvendëspresidenti duhet të garojë në ekip me presidentin. “Me këtë rast votuesit jo vetëm që e zgjedhin presidentin, por do ta zgjedhin edhe zëvendëspresidentin.

Pra, edhe ky post do të jetë i zgjedhur i popullit. Me ketë, nëse presidentit do t’i ndodhë diç dhe të mungojë, atëherë automatikisht kompetencat i kalojnë zëvendëspresidentit”, ka thënë Osmani, duke shtuar se më pas nuk do të vijë në diskutim çështja e ushtruesit të detyrës. Ajo ka thënë se për një gjë të tillë do të vendoset tek pas mendimit të ytetarëve, të cilët janë duke e dhenë në debat me Komisionin për ndryshime kushtetuese.

“Pas qëndrimit të qytetarëve se cili version është më i përkrahur, ne do të kthehemi në partitë tona ta arsyetojmë njërin apo tjetrin rekomandim, që më pas t’i propozohet Kuvendit”, ka thënë Osmani. Analisti politik Behxhet Shala ka ironizuar me këtë çështje.

Ai ka thënë se “meqenëse Kosova është shtet i fortë, një nënpresident është pak”. “Meqenëse kemi aq shumë zëvendëskryeministra e zëvendësministra, mendoj që së paku nja 10 nënpresidentë i duhen Kosovës, shkon njëri, vjen tjetri.

Mendoj se megjithatë Kosova ka nevojë për nënpresident, që së paku mos të vijë tek situata kur është krijuar një vakuum institucional dhe pavarësisht se Kosova në Kushtetutë nuk është Republikë presidenciale, Kosova ka nevojë për nënpresident”, ka thënë Shala. Mirëpo, sipas tij, kjo është çështje që duhet të rregullohet me ligj.

“Megjithatë konsideroj që nënpresidentin ta propozojë presidenti. Nëse nuk rregullohet me ligj ndryshe, mendoj që kjo duhet të jetë iniciativë e presidentit dhe paralelisht me presidentin të zgjidhet edhe nënpresidenti.

Ose varianti tjetër, kandidati i cili garon për president dhe radhitet i dyti, automatikisht të bëhet nënpresident”, ka thënë Shala. Ndërkaq eksperti për çështje zgjedhore, Xhavit Shala, ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për zëvendëspresident, pasi që siç ka thënë ai, Kosova është një vend i vogël dhe ka nevojë për një president funksional.

“Mendoj që Kosovës i mjafton presidenti aktual, ku në mungesë të tij kompetencat delegohen te kryeparlamentari dhe çdo ndryshim, rritje apo zbritje e kompetencave të presidentit hyhet në një proces ku nuk i shihet fundi”, ka thënë Shala. Sipas tij, asnjë vend në rajon nuk ka nënpresident. Prandaj, ka thënë ai, nëse merret model SHBA-ja, atje janë 50 shtete ndërsa Kosova nuk i ka as 50 komuna.

Shtuar më 07/11/2011, ora 10:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori