S’ka më vazhdim të afateve për Beogradin
Edhe pse janë të përballur me skadimin e afateve për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur me marrëveshjen me Kosovën, liderët shtetërorë të Serbisë ende nuk ia kanë përcjellë BE-së se çfarë saktësisht dëshirojnë të ndryshojnë në propozimin e marrëveshjes në mënyrë që ajo të jetë e pranueshme për ta, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kështu kanë thënë edhe të dielën diplomatët evropianë në Bruksel, duke shtuar se “ende janë në pritje të propozimeve të Serbisë”. Serbia kishte refuzuar para një jave atë që BE-ja e quajti “elementet për marrëveshje për veriun e Kosovës” por, sipas BE-së, me përjashtim të thënies se “kërkojnë që sa më shpejt të vazhdojë dialogu”, nuk kishin dhënë asnjë sqarim se çfarë saktësisht kanë parasysh kur kërkojnë vazhdimin e dialogut.

Prej atëherë BE-ja është në pritje, ndërsa tash pranojnë se, si duket, Beogradi ka qenë më shumë i angazhuar të marrë mbështetjen nga Rusia dhe që liderët e saj në një debat në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të „qortojnë“ Tribunalin e Hagës sesa të bëjë ndonjë hap drejt marrëveshjes me Kosovën.

Ndërkohë në selinë e Komisionit Evropian “Kohës Ditore” i është konfirmuar se është kryer drafti i Raportit pranveror për Kosovën dhe Serbinë, i cili do të miratohet të martën. Tash, sipas të njëjtave burime, mund të bëhen vetëm ndryshime të vogla dhe madje vetëm në pjesën që ka të bëjë me dialogun mes „dy palëve“. Pjesa tjetër e raportit, e cila ka të bëjë me përmbushjen e kushteve afatshkurtra për Kosovën dhe për Serbinë është kryer dhe, sipas burimeve në Komisionin Evropian, ai raport është kryesisht pozitiv dhe hap rrugën për „të dyja palët“ që të lëvizin përpara, nëse arrihet marrëveshja për veriun e Kosovës.
Ndërkohë Peter Stano, zëdhënës i komisionerit të Zgjerimit të BE-së, Stefan Fule, ka hedhur poshtë shkrimet e gazetës beogradase “Blic” se Fule do të zëvendësojë përfaqësuesen e lartë të BE-së, baroneshën Catherine Ashton, në rolin e ndërmjetësit mes Kosovës dhe Serbisë. Stano ka thënë se “kjo është një e pavërtetë”. Edhe burimet e tjera në BE e kanë hedhur poshtë këtë ide, sepse Ashton pos që është përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, është edhe zëvendëskryetare e Komisionit Evropian, pra anëtare e plotë e këtij Komisioni. Prandaj ajo edhe deri më tani ka bashkëpunuar ngushtë me komisionerin Fule, i cili edhe ashtu ka për obligim që në hollësi të ndjekë situatën në të gjitha vendet e procesit të zgjerimit, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor, ku ndodhen Kosova dhe Serbia.
Burimet diplomatike në Bruksel kanë thënë se është e mundur që përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, të vizitojë këtë javë Beogradin dhe, nëse atje dëgjon propozime konkrete për kërkesat e Serbisë që të pranohet marrëveshja, atëherë do të vijë edhe në Prishtinë për të dëgjuar mendimin e Kosovës lidhur me propozimet e Serbisë.

Pas kësaj ajo më 22 prill ministrave të jashtëm të BE-së duhet t’u raportojë me fakte lidhur me fatin e deritashëm dhe të ardhshëm të dialogut.

Nëse Ashton nuk do të jetë në gjendje të saktësojë se është arritur apo jo marrëveshje konkrete për veriun e Kosovës, atëherë vendet anëtare nuk do të mund të arrijnë konsensus për t’i dhënë Serbisë datën për nisjen e negociatave të anëtarësimit në BE. /albeu.com/
Shtuar më 15/04/2013, ora 09:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori