S'ka marrëveshje për formimin e institucioneve, Kuvendi mblidhet sërish të hënën
Pëlqej
Të hënën, për të katërtën herë radhazi pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit, nga kryesuesi i seancës, deputeti Adem Mikullovci.

Seancat e kaluara dështuan pasi që deputetët e koalicionit fitues të përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, që njihet me shkurtesën PAN, nuk ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit për të propozuar kandidatin për kreun e Kuvendit.

Përfaqësuesit e koalicionit PAN kanë paralajmëruar se nuk do të marrin pjesë as në seancën e radhës, pasi kanë kërkuar konsultime shtesë.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kryesuesi i seancës konsituive deputeti Adem Mikullovci është duke bërë gabime, pasi që, siç shprehet ai, më shumë është duke e ndjekur politikën e Vetëvendosjes, sesa të unifikimit të spektrit politik.

"Ne e kemi bërë të qartë se pa takime konsultative, pa takime të gjithë spektrit politik dhe grupeve parlamentare, nuk do të marrim pjesë në seancë", deklaron Lekaj.

Drejtuesit e partive politike që janë pjesë e këtij koalicioni, Kadri Veseli(PDK), Ramush Haradinaj (AAK), Fatmir Limaj (NISMA) kanë zhvilluar të shtunën një takim me Ukë Rugovën, vëllanë e deputetes Teuta Rugova.

Zyrtarët e partive politike thonëpër Radion Evropa e Lirë, se takimi është mbajtur për të thelluar vazhdimin e bashkëpunimit dhe, siç thanë ata,është biseduar për formimin sa më shpejt të institucioneve të Kosovës.

"Familja Rugova i ka kuptuar drejt dhe mirë proceset që po zhvillohen në Kosovë dhe në këtë drejtim, si familje emblematike, e ka dhënë gjithë kontributin për zhbllokimin e situatës dhe në suaza të kësaj, janë edhe takimet e tilla", thekson Lekaj.

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka deklaruar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se gjatë 10 ditëve të ardhshme pritet që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe më pas të formohet edhe Qeveria e re e Kosovës.

"Tani jemi në tendencë ose në përpjekje që ta rikthejmë seancën. Seanca rikthehet pas dakordimit të partive politike, por nuk mund të kthehet njëanshëm. Dhe, mendoj se duhet të shfrytëzohen konsultat për dakordim për seancë. Ka terren, pra 10 ditë nga sot, ka terren për mbajtjen e seancës, por nxitimi edhe thirrja e seancës njëanshëm nuk është zgjidhje", ka deklaruar Haradinaj.

Nga ana tjetër, edhe i nominuar nga koalicioni PAN për kryetar të KuvenditKosovës, Kadri Veseli, ka thënë se institucionet e Kosovës do të formohen shpejt. Veseli ka deklaruar të shtunën për mediat në Prizren se Kosova, brenda 10 ditëve, do t'i ketë institucionet e reja.

Veseli ka pohuar se Kosova shpejt do ta ketë Kuvendin dhe Qeverinë e re dhe sipas tij, i mandatari për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, është në fazën përfundimtare të konsultimeve me partitë politike.
Nga ana tjetër, Shkodran Hoti, zyrtar për media në Lëvizjen Vetëvendosje thotë për Radion Evropa e Lirë se mospjesëmarrja e PAN-it në seancë, siç shprehet ai, “është përgënjeshtrim i asaj që deklaronin ata për numrat dhe vërtetim i asaj që e thoshim ne”.

"PAN-i po mundohet ta zvarritë konstituimin e Kuvendit, sepse nuk i ka numrat e mjaftueshëm, as për kryeparlamentar, e as për kryeministër. Duke qenë në panik, ajo që po do PAN-i, është blerja e kohës me kërkesa për takime konsultative e bojkotim të seancës, dhe rrjedhimisht po shkaktojnë bllokadë institucionale", thotë Hoti.

Kurse, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, aktualisht kryeministër në detyrë, në një postim të llogarinë e tij në facebok, shkruan se koalicioni i LDK -së nuk është duke e bllokuar krijimin e institucioneve, porse situatën po e mban peng koalicioni i PDK-së.

"Të gjithë ata që kanë iluzione se me zhagitje të proceseve, para apo pas zgjedhjeve lokale, do të ndryshojnë qëndrimin e LDK-së, mashtrohen kot! Në asnjë rrethanë nuk bëjmë koalicion me PDK-në për qeverisje qendrore. Sa i përket Vetëvendosjes, do të kërkojmë që t’i qartësojë qëndrimet për shumë akuza, sulme dhe veprime të dhunshme, por edhe çështjet programore. Në ditët në vijim do t’i adresojmë çështjet specifike", shkruan Mustafa.

Koalicioni PAN po synon që t’i ketë 61 vota e më tepër, si për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ashtu edhe për Qeverinë e re.
Por, deri më tash ky koalicion nuk ka dëshmuar se ka numër të mjaftueshëm votash.

Sipas Kushtetutës, “Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Në këtë rast, Partisë Demokratike të Kosovës i takon ta propozojë kandidatin për të parin e KuvenditKosovës.

Kadri Veseli, i cili është kryetari PDK-së, për Lëvizjen Vetëvendosje është kandidat i papranueshëm dhe siç janë deklaruar përfaqësues nga ky subjekt,nuk do ta votojnë në asnjë rast.

Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nuk do të mund të vazhdohet me asnjë procedurë tjetër rreth formimit të institucioneve.
Në rast të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, më pas fillon faza prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, kjo e drejtë i takon koalicionit PAN (PDK, AAK dhe Nisma) si fitues i zgjedhjeve. Për formimin e Qeverisë janë të nevojshme të paktën 61 vota të deputetëve.
Shtuar më 12/08/2017, ora 17:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori