Simiç: Lista Serbe e gatshme të bisedojë me të gjithë liderët (VIDEO)
Kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiç është shprehur për Radio Evropa e Lirë se janë të gatshëm gatshëm të bisedojë rreth formimit të qeverisë së re të Kosovës me të gjithë liderët e partive shqiptare.

Ai ka thënë po ashtu se për Listën Serbe mbetet prioritet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Simiç nuk ka dhënë ndonjë preferencë në raport me pretendimet e kandidatit të koalicionit PAN, Ramush Haradinaj dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për formimin e qeverisë, duke thënë se e drejta e mandatarit i takon shumicës shqiptare.

“Ne do të marrim pjesë në të gjitha konsultimet politike, pavarësisht se a është ai Ramush Haradinaj, Albin Kurti apo Isa Mustafa. Ne nuk mund të ndikojmë në çështjen e mandatarit”, ka theksuar Simiç.

Ai u shpreh se se në qeverinë e re, Lista Serbe do të angazhohet që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me theks të veçantë në çështjet që prekin në interesat e këtij komuniteti.

“Është shumë me rëndësi që të zbatohet e gjithë ajo që është arritur në Bruksel, para së gjithash mendoj në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që paraqet imperativ për komunitetin serb në Kosovë dhe ekzistencën e tij”, ka thënë Simiç.

Ndonëse ka konfirmuar pjesëmarrjen në bisedimet për qeverinë e ardhshme të Kosovës, Simiç, në këtë fazë, nuk ka dhënë ndonjë preferencë rreth ministrive që i synon Lista Serbe.

Lista Serbe dhe bashkësia serbe në Kosovë duhet të përfaqësohet fuqishëm në institucione, si në qeveri ashtu edhe në kuvend”, shprehet Simiç. /albeu.com/

Shtuar më 11/07/2017, ora 16:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori