Simbolet e Kosovës po shiten!
Në kuvendin e Kosovës deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca k thënë se bisedimet dhe negociatat me Serbinë nuk po i shihet fundi.

"Ajo që e ka karakterizuar verën që po e lëmë pas ka qenë vazhdimi i negociatave me Serbinë, të cilave nuk po iu shihet fundi.

Kompromiset dhe koncesionet që po i bën Qeveria jonë nuk po kanë të ndalur. Qeveria jonë ka arritur që me Serbinë t’i bëjë të negociueshme çështjet ekskluzivisht të brendshme të Republikës së Kosovës, siç është edhe ajo e zgjedhjeve lokale. Në njërin nga raundet e fundit të negociatave në Bruksel kryeministri Thaçi u mor vesh me Daçiqin edhe për përdorimin e simboleve të shtetit të Kosovës.

Duke dashur që t’i ikë përgjegjësisë që e ka lidhur me këtë vendim kryeministri ia hodhi topin KQZ-së, duke thënë se çështja e dukjes së fletëvotimeve është punë e këtij institucioni.

Dhe ashtu që faji i vërtetë të relativizohej edhe më shumë, u tha se puna e fletëvotimeve është çështje dizajni me të cilin merret KQZ-ja.

Nuk ka dyshim se heqja e simboleve shtetërore nga fletët e votimit është sjellë nga Qeveria jonë pas negociatave me Daçiqin. Ne e dimë që simbolet e Kosovës kanë qenë të imponuara.

E dimë farë mirë që ato nuk paraqesin siç duhet historinë dhe aspiratën e kombit shqiptar, që e përbën popullatën shumicë në Kosovë. Ne e dimë shumë mirë se ato janë prezantuar si kompromis me bashkësinë ndërkombëtare. Por këta zyrtarë qeveritarë të cilët kanë bërë madje edhe fushata denigruese e propagandë të pashembullt ndaj atyre që nuk pajtohen me këto simbole, janë pikërisht këta që po i shesin ato në rastin e parë që po iu jepet mundësia.
Dhe përmbi kompromisin e parë me bashkësinë ndërkombëtare tash po ndërtohet një kompromis tjetër shtesë me Serbinë.

Pavarësisht nëse kemi apo nuk kemi vërejtje në përmbajtjen e simboleve të Republikës. Pavarësisht nëse ato duhet të ndërrohen. Gatishmëria e kësaj Qeverie për t’ia bërë qejfin Daçiqit dhe për t’i hequr simbolet shtetërore nga fletëvotimet e zgjedhjeve lokale përbën një dobësi të madhe të kësaj Qeverie dhe një tregues se deri ku mund të shkojë kjo qeveri me lëshime substanciale ndaj Serbisë" -thotë deputeti i VV-së Konjufca. /albeu.com/
Shtuar më 12/09/2013, ora 12:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori