Sillen në vendlindje kosovarët nga zona e luftës në Jemen
Pas shpërthimit të luftës dhe rrezikshmërisë së lartë për jetë në Jemen, Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës ka arritur që të evakuojë shtatë shtetas kosovarë që ishin me banim të përkohshëm atje.

Zëvendësministri i jashtëm, Petrit Selimi, ka bërë të ditur se “pas shumë përpjekjeve, shteti i Xhibutit shprehu gatishmërinë për të na ndihmuar në evakuimin e shtetasve tanë bashkë me shtetasit e tyre nga Jemeni dhe operacioni për evakuimin e tyre u përmbyll me sukses."

Kreshnik Gashi, sekretar i përgjithshëm në MPJ, i cili i priti në aeroport të shtatë kosovarët e kthyer në vendlindje, tha se me të marrë lajmin se shtetasit kosovarë me vendbanim të përkohshëm në Jemen ishin në rrezik, MPJ ka filluar me procesin e evakuimit, në bashkëpunim me ambasadën e Kosovës në Riad. Ai shtoi se nga ky proces janë evakuuar dhe janë kthyer në vendlindje shtatë shtetas kosovarë.

Gashi ka thënë se ky proces ka qenë mjaft i ndërlikuar sepse konflikti ka qenë i ashpër dhe se disa tentativa të mëhershme kishin dështuar. /albeu.com/
Shtuar më 06/04/2015, ora 11:14

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori