U bllokuan te Gjiri i Filikurit në Himarë, fund i mirë për dy turistët holandezë, pamjet nga operacioni i shpëtimit

Fund i mirë për dy turistët holandezë që u bllokuan në Gjirin e Filikurit në Himarë.

Policia bën me dije se është bërë i mundur shpëtimi i dy turistëve, të cilët u bllokuan në gjirin e Filikurit mbrëmjne e djeshme teksa po eksploronin zonën.

Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i policisë 

Shpëtohen 2 turistë holandezë që u bllokuan në Gjirin e Filikurit në Himarë.

Gjiri i Filikurit, Himarë

Kishin mbetur të izoluar në një terren të thepisur, në gjirin e Filikurit, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi iu shkojnë në ndihmë 2 turistëve holandezë, njëri prej të cilëve ishte dhe i dëmtuar, për shkak të rrëzimit.

Mbrëmjen e djeshme, salla operative e Komisariatit të Policisë Himarë është njoftuar se për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur, 2 turistë holandezë të cilët po eksploronin zonën, kishin mbetur të izoluar në gjirin e Filikurit dhe se njëri prej tyre ishte dhe i dëmtuar nga rrëzimi.

Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi kanë organizuar punën për t’iu shkuar në ndihmë 2 turistëve. Pas disa orësh kërkimi, nga shërbimet e Policisë të ndarë në grupe kërkimi përmes detit dhe përmes tokës, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e turistëve, të cilët janë transportuar me mjetin lundrues të Policisë Kufitare, me qëllim dërgimin e menjëhershëm të tyre, në ambientet ku pushonin në Himarë.

Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Turistët holandezë kanë falënderuar shërbimet e Policisë Kufitare, për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar për t’iu ardhur në ndihmë, turistëve që vizitojnë Vlorën dhe gjithë Shqipërinë.

Policia e Vlorës fton qytetarët që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112./albeu.com/ 


Shtuar 14.06.2023 08:12