Siç pritej, Thaçi vazhdon dialogun pa pyetur partitë politike
Pëlqej
Hashim Thaçi s’e ka ndërmend ta dëgjojë fjalën e fundit të partive politike për t’ia dhënë atij miratimin që të jetë në krye të negociatave. Në rolin e prijësit, shefi i shtetit do të niset të dielën në Bruksel. Aty do të takohet me homologun e tij nga Serbia, Aleksander Vuçiç, dhe shefen e BE-së për politike të jashtme, Federica Mogherini.

Presidenti kosovar, Hashim Thaçi, e ka konfirmuar takimin me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet të dielën në Bruksel. Ai sot e bëri të ditur se e ka pranuar ftesën nga Federica Mogherini dhe se tashmë ia kanë konfirmuar asaj pjesëmarrjen e ekipit nga Kosova.

“Kemi pranuar ftesën si president i vendit nga zonja Mogherini për të vazhduar dialogun në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë për të shikuar mundësitë e implementimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani por edhe për të shikuar arritjen përfundimtare të Kosovës me Serbinë.

Kemi konfirmuar pjesëmarrjen, ekipet tona do të takohen në ditët e ardhshme, takimi mes presidentëve do të ndodhë të dielën. Do të kemi kontakte të vazhdueshme me gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë që të kemi koordinim më të mirë”, u shpreh sot Presidenti.

E përderisa i pari i vendit po flet me shumë siguri si lider i këtyre negociatave, partitë politike ende nuk kanë dalë me ndonjë qëndrim se çfarë do të jetë pikëpamja e tyre karshi rolit të tij në këto bisedime.


Shtuar më 19/06/2018, ora 15:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori