Si u helmuan zyrtarët në Kosovë me kutitë e ardhura nga Serbia
Rreth 26 zyrtarë kosovarë janë helmuar, ndërkohë që ishin duke verifikuar kutitë me vota të ardhura nga Serbia.

Në momentin që kanë hapur zarfet, ata kanë pasur reaksione, disa kanë pas skuqje në dorë, kruajtje dhe disa shenja përreth syve.


***

Mësohet se 9 prej personave janë shtruar në spital, mes të cilëve janë edhe 2 gra shtatzëna. Ndërkohë gjendja shëndetësore e të gjithë këtyre pacienteve, sipas QKUK-së, raportohet të jetë e stabilizuar.

“Në orën,11:58, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ulët.

Dy nga ato kanë patur edhe të vjella. Të gjitha kishin ndjenjë diskonforti dhe frikë. Te të gjitha rastet nuk ka patur sindromë infeksioze dhe gjendja e përgjithshme është e stabilizuar”, thanë për mediat zyrtarë nga ky spital.

Sipas tyre pacientët pohojnë se menjëherë pas hapjes së zarfeve brenda në kuti të votimeve kanë ndjerë aromë kundërmuese. Ndërkohë salla ku janë këto zarfe për momentin është e mbyllur. Në vendin e ngjarjes pritet që të arrijnë ekipet e posaçme me ato të policisë së Kosovës.

***

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha për REL se gjendja e pacientëve është e mirë dhe se janë duke i monitoruar ata.

“SHSKUK-ja dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike janë duke monitoruar gjendjen shëndetësore të pacientëve të hospitalizuar, të cilët janë në gjendje të stabilizuar dhe për çdo informacion shtesë ne do t’ju informojmë me kohë. Shenjat vitale janë krejt në rregull, pacientët janë në gjendje konstante”, tha Ramadani.

Ndërkaq, drejtori i Ndihmës së Shpejtë, Avdyl Pacolli më herët tregoi për REL, për simptomat e personave që kishin rënë në kontakt me zarfet me vota nga Serbia.

Megjithatë, ai thotë se ende nuk dihet se çfarë substance ka shkaktuar këtë reaksion alergjik dhe se u përket organeve kompetente që të merren me zbardhjen e detajeve.

“Dua të ju bëj me dije se personat që kanë kërkuar ndihmë kanë pasur kryesisht kruajtje të duarve, të cilët, si pasojë e pluhurit që realisht nuk dihet çfarë pluhuri është, nuk dihet – për këtë besoj se duhet të merret farmakologjia toksike dhe njësitë e forenzikës së Policisë së Kosovës që kanë shkaktuar këto problematika”.

***

Reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje:

Lidhur me rastin e zarfeve të votave nga Serbia ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Në një njoftim për media, ky subjekt politik kërkoi hetimin e rastit dhe ka potencuar se këto zarfe “nuk kanë ardhur përmes postës, ashtu siç e kërkon ligji për zgjedhje, por janë sjellë kundërligjshëm nga zyra ndërlidhëse e Serbisë”.

Këto fletëvotime të sjellura kundërligjshëm duhet të refuzohen. Ndërsa shërbimi profesional i KQZ-së duhet ta vazhdojë punën në vlerësimin dhe numërimin e saktë të votave të ardhura nga mërgata”, thuhet në njoftim.

Shtuar më 13/10/2019, ora 17:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori