Si rrallë herë, Gjykata Kushtetuese refuzon Hashim Thaçin
Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar si të papranueshme kërkesën e Presidentin Thaçi për interpretim të nenit 18 rreth kompetencaveKuvendit dhe të tij rreth marrëveshjeve ndërkombëtare.

Presidenti Hashim Thaçi në shtator të 2018’ës i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese interpretim rreth kompetencave që ka Kuvendi dhe presidenca në ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Pyetja e Thaçit ishte se: a duhet gjithsesi që marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikohen me 2/3 e votave të Kuvendit, apo ajo ratifikohet me nënshkrimin e presidentit.

“A duhet të ratifikohen në cilësinë e Marrëveshjes Ndërkombëtare, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve (në pajtim me Nenin 18.1. të Kushtetutës) apo a duhet të konsiderohen të ratifikuara pas nënshkrimit nga Presidenti (në pajtim me Nenin 18.2 të Kushtetutës), për shkak të ndërrimit të rolit dhe mandatit ekzekutiv të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, pasi që tani e tutje do të ketë rol kryesisht këshillëdhënës dhe monitorues”, kishte pyetur Thaçi Kushtetuesen.

Sot Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktvendimin për papranueshmërinë e kërkesës së Presidentit.

Gjykata erdhi në përfundimin se, ndonëse rasti ishte paraqitur nga një palë e autorizuar, përkatësisht Presidenti – i cili pretendonte konflikt në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit, ai nuk e kishte specifikuar saktësisht se çfarë konflikti ekziston ndërmjet kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit, përkundër kërkesës së Gjykatës për të qartësuar kërkesën e tij të cilën fillimisht e kishte sjellë në formë të pyetjes kushtetuese në bazë të nenit 84 (9) të Kushtetutës. Presidenti, si parashtrues i kësaj kërkese, nuk kishte dorëzuar mjaftueshëm informata të dobishme në lidhje me “konfliktin e supozuar” apo të “pretenduar”, e as nuk kishte specifikuar “saktë se çfarë konflikti ekziston ndërmjet kompetencave kushtetuese” të Presidentit dhe Kuvendit”, thuhet në njoftimin e kushtetueses.

Rrjedhimisht, Gjykata, me shumicë, e deklaroi kërkesën e Presidentit për konflikt të pretenduar në mes të kompetencave kushtetuese të tij dhe Kuvendit të papranueshme për shqyrtim në merita.
Shtuar më 25/03/2019, ora 16:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori