Si po tentohet të zgjidhet guvernatori pa monitorimin e Ambasadës Britanike
Pëlqej
Guvernatori i Republikës së Kosovës do të zgjidhet pa "lejën" e Ambasadës së Britanisë së Madhe, në kundërshtim me Memorandumin e lidhur me Kuvendin e Kosovës. Zyra e kryeparlamentarit Kadri Veselit ‘fajin’ ia lë Ambasadës, e Sekretari i Kuvendit nuk di për vazhdimin e Memorandumit. Ambasada pret që Kuvendi t’i njoftojë institucionet përkatëse në lidhje me Memorandumin.

“Unë i inkurajoj të gjithë djemtë e vajzat e reja… që të konkurrojnë”, kjo ishte thirrja e kryeparlamentarit Kadri Veseli së bashku me zotimin e tij që do t’i jepet përparësi meritokracisë në proceset e rekrutimit për pozita të larta. Garantuese për këtë ishte Ambasada e Britanisë, e cila e kishte nënshkruar memorandumin me kryeparlamentarin Veseli dhe kryeministrin e Kosovës dhe e kishte kontraktuar një kompani britanike të specializuar në rekrutim për t’u dalë në ndihmë institucioneve të Kosovës.

Por, 18 muaj pas këtij premtimi, Kuvendi i Kosovës e ka në rend të ditës votimin e Guvernatorit të Republikës së Kosovës, nga lista prej katër kandidatëve të cilët janë përzgjedhur tinëz Ambasadës së Britanisë.

I gjithë procesi i rekrutimit të guvernatorit është zhvilluar pa praninë e partnerit implementues, Ambasadës Britanike në Kosovë, e cila nuk është informuar fare nga institucionet e Kosovës se procesi i rekrutimit ka nisur. Bordi i BQK-së thotë se nuk e ka idenë që ekziston një memorandum i tillë, ndërsa Kuvendi jep dy përgjigje të ndryshme.

Sekretari i Kuvendit thotë se memorandumi në fjalë ka përfunduar, ndërsa Zyra e Kryeparlamentarit thotë se është në përgjegjësi të ambasadës të zgjedhë se ku dëshiron të bëhet pjesë e rekrutimit, por injoroi pyetjen se a e kanë informuar institucionin që e mbikëqyrin vetë, BQK-në, për këtë memorandum.

Edhe pse në Memorandumin e Mirëkuptimit, nënshkruar nga Kuvendi dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, kërkohet që kjo e fundit të përfshihet në procesin e rekrutimit të Guvernatorit të Republikës së Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Britanikët nuk janë ftuar fare të marrin pjesë në këtë proces.

“Procesi për përzgjedhjen e guvernatorit është zhvilluar pa pjesëmarrjen e partnerit zbatues, edhe pse kjo pozitë ka qenë në listën e dakorduar të pozitave të larta që do të përzgjidhen përmes këtij projekti”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës britanike për Gazetën Jeta në Kosovë.

Më pas, Gazeta ka kërkuar përgjigje nga ushtruesi i detyrës së guvernatorit, Fehmi Mehmeti, i cili është edhe kandidat për guvernator, nëse e ka informuar bordin e këtij institucioni për këtë memorandum.

Mehmeti i ka thënë Gazetës JnK se ai nuk e ka shpallur konkursin për guvernator.

“Nuk jam marrë fare me këtë punë, s’e di a e kanë njoftu a s’e kanë njoftu, s’e di çka kanë bo. S’u kon punë e jemja”, ka thënë ai.

Bedri Peci ka qenë kryetar i Bordit të BQK-së dhe njëherësh kryetar i Panelit Seleksionues në kohën e rekrutimit për anëtarë bordi në BQK. Peci i ka thënë Gazetës se nuk ka pasur njohuri për memorandumin e tillë.

“Neve kurrë nuk na është thanë as prej Parlamentit, pas prej qeverisë, as prej Ministrisë së Financave, as prej guvernatorit, as prej askujt që Banka Qendrore është pjesë e këtij memorandumi. Kurrkush kurrë nuk na ka informu”, tha thënë Peci.

Madje, Peci thotë se atë nuk e ka kontaktuar as Ambasada britanike në Kosovë. Sipas tij, ka qenë një kërkesë tjetër nga një përfaqësues i amerikanëve dhe ka marrë pjesë.

“Ambasada amerikane ka kërku me pasë përfaqësuesin e vet, unë kam qenë kompakt me ta, kanë qenë prezent, ka qenë përfaqësuesi i thesarit, si vëzhgues gjatë gjithë procesit të rekrutimit për guvernator”, ka sqaruar Peci.

Ikja nga përgjegjësia

Ai ka thënë se njësoj do të kishte vepruar edhe me Ambasadën britanike, por nuk ka marrë kërkesë dhe nuk ka qenë në dijeni.

Më pas, Gazeta i është referuar qeverisë dhe Kuvendit, ngase këto institucione ishin nënshkruese të memorandumit në 2016-ën.

Në përgjigjen e saj, qeveria i është referuar vetëm memorandumit të nënshkruar nga Kryeministri Haradinaj, në të cilin nuk bën pjesë edhe pozita e guvernatorit.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Mbretërinë e Bashkuar me 11 tetor 2017, me qëllim që të sigurohet një proces ligjor dhe kredibil, bazuar në ligjet në fuqi në rekrutimin e personave që mbajnë përgjegjësi në agjencitë që janë në kompetencë të qeverisë”, thuhet në përgjigjen e ZKM-së.

Tutje Zyra e Kryeministrit thotë se BQK-ja është institucion i pavarur që i raporton KuvenditKosovës. Kjo është e përcaktuar me nenin 140 të Kushtetutës së Kosovës.

Gazeta ka kërkuar përgjigje edhe nga Kuvendi i Kosovës. Veseli e kishte nënshkruar memorandumin e parë në vitin 2016, ndërsa i njëjti ishte vazhduar deri në vitin 2018. Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli përmes një letërkëmbimi me ambasadorin Ruari O’Connel e kishte vazhduar memorandumin deri në fund të marsit 2018.

E për këtë çështje nga Kuvendi kemi pranuar dy përgjigje të ndryshme.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, në përgjigjen e tij thotë se memorandumi mes Kuvendit e britanikëve ka përfunduar.

“Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, përfaqësuar nga Ambasada Britanike në Kosovë, kanë nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit me 15.08.2016, për periudhën 1 shtator 2016-31 mars 2017”, thuhet në përgjigjen e tij.

Por Zyra e Kryeparlamentarit, e di për vazhdimin e memorandumit, por nuk jep përgjigje nëse i ka informuar institucionet në listë, duke përfshirë këtu edhe BQK-në.

Ata ‘topin’ e gjuajnë te Ambasada britanike.

“Është më rëndësi të sqarohet se kur është nënshkruar herën e parë dhe kur është vazhduar marrëveshja për rekrutim me Ambasadën britanike, është lënë në diskrecion që Ambasada britanike të bëjë përzgjedhjen e institucioneve ku ata e kanë parë të arsyeshme mbështetjen”, thuhet në përgjigjen e Kabinetit të Veselit.

Tutje ata thonë se kjo është bërë me qëllim që të shmanget konflikti i interesit apo çfarëdo ndërhyrje tjetër nga ana e Kuvendit në përcaktimin dhe kontaktimin e institucioneve.

Por, Ambasada Britanike thotë se ka qenë përgjegjësi e Kuvendit t’i njoftojë institucionet përgjegjëse për hapjen e konkurseve për pozitat që do të monitorohen nga ta.

“Memorandumi i nënshkruar me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës përmban një listë të pozitave specifike që do të mbulohen nga ky projekt, pozita këto të dakorduara paraprakisht me Zyrën e Kryetarit të Kuvendit dhe Zyrën e Kryeministrit. Ne do të presim që qeveria dhe Kuvendi të njoftojë institucionet përkatëse në lidhje me memorandumin”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Gazetën JnK.

Zyra e Kryetarit të Kuvendit nuk i është përgjigjur Gazetës në pyetjet shtesë nëse i kanë njoftuar institucionet te cilat janë pjesë e memorandumit.

E në BQK thonë se pozita e guvernatorit nuk ka qenë pjesë e memorandumit.

“Në bazë të informacionit tonë për marrëveshjen e pretenduar nga ju, rekrutimi i kandidatëve për anëtar bordi apo për guvernator të BQK-së nuk është pjesë e asaj marrëveshjeje”, thuhet në e-mail-in e zyrtarit për informim në këtë institucion, Besnik Kada.

Por, Gazeta “Jeta në Kosovë” e ka memorandumin e bashkëpunimit dhe letërkëmbimin mes Kryeparlamentarit dhe Ambasadorit të datës 27 nëntor 2017, ku i kërkohet kryeparlamentarit vazhdimi i marrëveshjes së një viti më parë. Gjithashtu, Gazeta JnK e posedon edhe letrën e Veselit, ku më 5 dhjetor 2017 i konfirmon Ambasadorit vazhdimin e memorandumit deri më 31 mars 2018.

Emrat politikë të propozuar për guvernator

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka propozuar për guvernator të Republikës së Kosovës persona me të kaluar dhe të tashme politike. Në mesin e të propozuarve për guvernator është edhe Besnik Bislimi, ish-deputet i Vetëvendosjes dhe Safet Merovci, ish-ministër në Qeverinë e Përkohshme dhe ish-këshilltar në qeveri.

Komisioni për Buxhet dhe Financa më 24 janar ka proceduar në Kuvend emrat e 4 kandidatëve të propozuar për guvernatorë: Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Besnik Bislimi dhe Safet Merovci.

Gazeta i ka siguruar CV-të e të gjithë kandidatëve që pretendojnë të vijnë në krye të Bankës Qendrore, të cilët janë zgjedhur nga komisioni seleksionues që përbëhej nga: Bedri Peci, Behxhet Brajshori dhe Nuhi Ahmeti (anëtarë në bordin e BQK-së).

Fehmi Mehmeti që ka hyrë në listën e ngushtë, është emëruar nga Bordi i BQK-së për ushtrues detyre të guvernatorit në shtator të vitit të kaluar, pas dorëheqjes së Bedri Hamzës.

Mehmeti nga data 1 shtator 2013 është emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për mbikëqyrje financiare në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Mehmeti ka qenë pjesë e menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pas marrjes me koncesion nga konzorciumi turko-francez, “Limak & Airport de Lyon MAS”, në periudhën 2011-2013.

Në ANP, përveç detyrave tjera menaxhuese, referuar CV-së së tij, thuhet se ai është angazhuar edhe në hartimin e legjislacionit të ANP-së dhe punën në financa. Posti i tij ka qenë shef i Kabinetit të Drejtorit Ekzekutiv.

Gjatë periudhës 2010-2013, ai ka qenë drejtor bordi në Ndërmarrjen Publike “Uniteti” me seli në Mitrovicë.

Nga korriku 1999 deri në mars 2001, kandidati për guvernator ka qenë drejtor i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale në Vushtrri. Në këtë qytet ai ka ligjëruar për lëndët ekonomike në shkollën e mesme, në vitet 91-92.

Shkëndije Himaj ka qenë pjesë e Bankës Qendrore të Kosovës që nga viti 2004, në të cilën ka ushtruar detyra të ndryshme.

Ka qenë zyrtare e lartë për mbikëqyrje financiare në BQK, ndërsa ka qenë edhe këshilltare e lartë e Bordit Ekzekutiv në BQK (2011-2017).

Aktualisht është koordinatore për funksione të përgjithshme në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Gjithashtu është kryesuese e Bordit Menaxhues në Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës si dhe asistente në Universitetin e Lubjanës, Fakultetin Ekonomik.

Besnik Bislimi ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në periudhën 2014-2016.

Referuar CV-së së tij, Bislmi ka punuar si hulumtues në “Helvetas Swiss Intercoorperation” në vitet 2015-2017. Ndërsa në vitet 2013-2014 ka qenë drejtor i Drejtorisë për Financa në Komunën e Prishtinës që udhëhiqej nga Shpend Ahmeti.

Ai ka doktoruar në financat publike në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë. Aktualisht është asistent profesor i ekonomisë në Universitetin Amerikan të Kosovës.

Safet Merovci aktualisht është profesor në Universitetin e Prishtinës. Në vitet 2012-2013 ka qenë prodekan për mësim në Fakultetin Ekononmik, ndërsa në 2013-2015 anëtar i Këshillit Drejtues në UP.

Në të kaluarën ka qenë pjesë e kabinetit të Qeverisë së Përkohshme të udhëhequr nga Hashim Thaçi. Në periudhën 2001-2004 ai ka qenë këshilltar politik i Kryeministrit Bajram Rexhepi.

Referuar CV-së së tij, Merovci ë vitet 2003-2004 ka qenë bashkë-kryesues i Zyrës për Energji në Kosovë. Ndësrsa në vitet 1999-2002 ai ka mbajtur pozitën e zëvendësdrejtorit gjeneral në Kompleksin “Trepça”.

Në letrën dërguar kryeparlamentarit Kadri Veseli më 28 dhjetor 2017, Komisioni seleksionues thotë se emrat e propozuar janë zgjedhur në mesin e 28 kandidatëve (15 nga të cilët të ftuar në intervistim) duke u bazuar në disa kritere.

“Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për guvernator, pas vlerësimit të integritetit, përgatitjes profesionale, shkathtësive teknike, njohurive të sistemit financiar si dhe njohurive për politika mikro dhe makroekonomike si dhe pas vlerësimit të përformancës së treguar gjatë intervistës, ka bërë dhe ka dërguar listën përfundimtare Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Më pas në vendimin e qeverisë të datës 12 janar 201/8, thuhet se ekzekutivi jep mendim dhe pajtohet me kandidaturat e propozuara nga Paneli Seleksionues, të cilin vendim e procedon në Kuvend.

Kuvendi zgjedhjen e Guvernatorit të BQK-së e kishte futur në rend dite në seancën e muajit të kaluar, por pas dështimit të mbajtjes së saj, kjo pikë është transferuar në vazhdimin e seancës së nesërme, 14 mars 2018.
Shtuar më 14/03/2018, ora 14:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori