Si po i fshihet gjykimit i riu shqiptar që iu bashkua ISIS-it
Fitim Dema nga Kaçaniku është kosovari i dënuar më 2 vjet e gjysmë burgim për terrorizëm, që po arratiset nga vuajtja e dënimit për pjesëmarrje në ISIS. Dema ishte një nga dhjetëra kosovarët që në vitin 2013 iu bindën thirrjes së imamit nga Gjilani, Zekria Qazimi, për t’iu bashkuar konflikteve të armatosura në Siri e Irak.

Ka disa muaj që Fitim Dema, një i dënuar për terrorizëm, nuk po paraqitet në Gjykatën Themelore të Prishtinës për të dëshmuar në një proces tjetër gjyqësore për të njëjtat akuza, ndaj Gazmend Halitit. Mungesa e dëshmitarit kryesor në këtë rast ishte arsyetuar nga gjykata për gjoja shkaqe shëndetësore.

Por, përveç mungesës për të dëshmuar, i dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim, kaçanikasi Fitim Dema po refuzon t’i përgjigjet edhe urdhëresës së gjykatës për të vuajtur dënimin e shqiptuar ndaj tij, janarin e vitit të shkuar.

Të mërkurën, Policia ka shkuar për ta arrestuar terroristin nga Kaçaniku, pasi e kishte lokalizuar vendndodhjen e tij, por ai sërish është arratisur.

Policia ka pasur urdhëresë për arrestimin e personit në fjalë për vuajtjen e dënimit. E ka identifikuar lokacionin. Pasi policia ka shkuar në lokacion, personi është larguar dhe policia nuk ka arritur ta arrestojë. Tash është në kërkim policor”, u ka thënë medieve të enjten zëdhënësi i policisë në Ferizaj, Agim Gashi.

I dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupe terroriste, në Siri kishte udhëtuar në nëntor të vitit 2013, raporton Gazeta Express.


Shtuar më 15/03/2018, ora 15:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori