Si po dështon Pacolli në procesin për njohje të reja
Barbadosi është shteti i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Më këtë, numri i njohjeve ka arritur në 116. Njohja nga ky shtet është e vetmja që Kosova ka marrë këtë vit, përderisa që nga 2016-ta, vendi ynë ka pranuar vetëm 5 njohje.

Për ngecjet në procesin e njohjeve partitë opozitare dhe njohësit e zhvillimeve politike fajësojnë institucionet shtetërore dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Singapori, Bangladeshi, Madagaskari e Barbadosi janë katër shtetet e fundit e të vetmet që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, që nga fillimi i vitit 2016. Procesi i njohjeve, i cili ka ngecur viteve të fundit, sipas opozitës, është rezultat i mospunës së institucioneve.

Për deputeten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, shteti duhet të këtë strategji të veçantë lobimi, në mënyrë që të rritet numri i njohjeve.

“Ajo çfarë duhet të bëjë shteti i Kosovës është që të ketë një strategji të qartë se si e shohim ne politikën e jashtme, dhe sigurisht lobimi që bëhet te vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, të bëhet nga njerëz që kanë integritet dhe profesionalizëm në këtë drejtim”, theksoi Haxhiu.

E profesori universitar dhe analisti politik Behlul Beqaj, duke folur për njohjet, tha për televizionin publik se edhe degradimi i vazhdueshëm i shtetit po ndikon në ngadalësimin e procesit të njohjeve, përderisa, sipas tij, këtë proces më së tepërmi po e stagnon mospuna e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

“Rol të veçantë ka paaftësia, joprofesionaliteti dhe mosaktivizimi konkret i Ministrisë së Jashtme, e cila, para se gjithash e ka obligim të tërheq miq dhe shtete, të cilat janë të gatshme për ta njohur Kosovën dhe për të vazhduar bashkëpunimin bilateral apo multilateral”, pohoi profesor Behlul Beqaj.

Televizioni publik ka kërkuar një koment edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilën e ka pyetur edhe për atë se a kanë një strategji të veçantë për rritjen e numrit të njohjeve, por, për ditë të tëra, nuk ka marrë përgjigje nga kjo ministri.

Përveç me numrin e vogël të njohjeve, që shtetit po i vijnë viteve të fundit, Kosova po përballet edhe me presionin e vazhdueshëm që Serbia po ua bën shteteve të ndryshme për të mos e pranuar pavarësinë apo edhe për të tërhequr njohjen. Krerët shtetërorë të Serbisë, shpesh deklarojnë se shtete të ndryshme e kanë tërhequr njohjen. Por, sipas autoriteteve kosovare, bazuar në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston tërheqja e njohjes, por vetëm ngrirja e marrëdhënieve ndërshtetërore.


Shtuar më 19/05/2018, ora 15:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori