Si e fitoi dhe si e humbi Sejdiu postin e presidentit
Fatmir Sejdiu, Foto: KTV
Vdekja e presidentit Ibrahim Rugova, në janarin e 2006-s, po e nxirrte Kosovën dhe LDK-në para shumë sfidave. Ta zëvendësonte kryetarin historik të partisë, që njëherësh do të ishte i denjë ta merrte timonin e të parit të vendit. Pakkujt i ishte kujtuar për profesorin e nderuar të juridikut, Fatmir Sejdiu, që deri në atë kohë kishte ushtruar postin e sekretarit të përgjithshëm të LDK-së. I njohur për qetësinë e tij, emri i Fatmir Sejdiut shpejt u bë i pazëvendësueshëm për ta marrë drejtimin e Presidencës, e më pas edhe të partisë. Sejdiu u konfirmua për president të Kosovës më 10 shkurt në vitit 2006, pas tri rundesh votimi në Kuvendin e Kosovës, ka ruajtur KTV-ja historinë e bërjes president të Kosovës, të Fatmr Sejdiut. E njeriu që deri atëherë konsiderohej i dyti pas Rugovës, Nexhat Daci, nuk shihej me sy të mirë nga ndërkombëtarët. Zgjedhja si president nuk i kishte penguar askujt, por gara për ta marrë LDK-në e pezmatoi më së shumti Nexhat Dacin dhe simpatizantët e tij. LDK-ja tashmë po ndahej, për t’u konfirmuar edhe në Kuvendin e Përgjithshëm, që më vonë u quajt Kuvendi i Karrigeve. LDK-ja e fitoi kryetarin e saj, që ishte edhe president, por e humbi një pjesë të madhe të lidershipit dhe të simpatizantëve. Pakkujt i interesoi kjo, e aq më pak presidentit Fatmir Sejdiu, i cili u rehatua shpejt duke e udhëhequr Kosovën drejt negociatave me Serbinë. Negociatat dhe udhëtimet në Vjenë e afruan Fatmir Sejdiun me liderin opozitar, Hashim Thaçi. Sakaq u larguan, kur pas një takimi të zakonshëm të Ekipit të Unitetit, Thaçi shpërtheu papritur dhe nuk la të keqe pa thënë për LDK-në e Sejdiun. Doli të jetë moment dobësie, dhe Sejdiu e Thaçi vazhduan “miqësinë speciale”, që çoi në kurorëzimin e madh. Pas javë të tëra negociatash, më 7 janar 2008, liderët e LDK-së dhe të PDK-së, Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi, bënë atë që dukej utopi për shumë vjet. Krahu i pacifistëve dhe ai i luftëtarëve lanë pas vetes hasmëritë dhe nënshkruan marrëveshje për koalicion qeveritar. Në marrëveshjen 2-faqëshe Sejdiu e Thaçi rehatuan veten. I pari president pa gajle, e i dyti kryeministër me duar të lira për shkarkime. Të dy liderët e udhëhoqën vendin drejt shpalljes së pavarësisë dhe e menaxhuan suksesshëm, në kuptimin që nuk pati eksese që do të vinin në dyshim arritjen e 17 shkurtit. Por mbi kokë Sejdiut po i rrinin mediat dhe shoqëria civile që vazhdimisht ia kujtonin se ai po e shkelte edhe Kushtetutën e sapohyrë në fuqi, duke mbajtur të dyja postet. Elementet e formulës së tij nuk i jepnin një rezultat të tillë, dhe ai thjesht tha se e kishte ngrirë pozitën e kryetarit të LDK-së dhe se nuk do ta ushtronte më atë. Teksa mundohej të anashkalonte këtë fakt, Sejdiu si president rrallë u pa të pritej jashtë në ceremoni tek ndonjë burrështetas. Turqia u bë stacioni më i shpeshtë ku iu dhanë krejt nderimet, por ajo që la gjurmë ishte vizita në shtetin afrikan të Malawait, ku u prit si hero. Sejdiu u bë histori kur nuk u ftua nga presidenti i ri maqedonas, George Ivanov, për inaugurimin e tij. Kishte apo s’kishte ftesë, nuk u mor vesh kurrë, por Sejdiu nuk shkeli tepihun e kuq të Presidencës maqedonase. Ishte megjithatë në Vlorë në samit rajonal me presidentët e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, e të njëjtit i ftoi në Prizren. Propozoi mini-shengen, por konkrete nuk ka asgjë. Mbi gjithçka, Sejdiu vazhdimisht rehatoi interesat e veta. Në disa faza e ngriti pagën e tij, përderisa nuk e bëri, siç edhe do të duhej, më të madhen në vend. Por KTV-ja zbuloi se ish-ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Haki Shatri, mori një vendim për dyfishimin e rrogës nga 1 300 deri në 2 600 dhe Sejdiu mori retroaktivisht mijëra euro, edhe për janarin kur presidenti Rugova ishte gjallë. Përfundimisht, paga e tij u bë rreth 3 400 euro, por ai sërish nuk ia kaloi për kohë të gjatë djalit të tij, menaxher në PTK, Bardhyl Sejdiu, që merr më shumë. Bizneset e djemve dhe përkrahja e babait president u bënë pjesë e vazhdueshme e raporteve mediale. Do të kujtohet edhe për faljen që u bëri të burgosurve të Dubravës që ishin dënuar për krime të rënda. Sejdiut i shkuan shumë letra, të cilave nuk u ktheu përgjigje kurrë. Ai injoroi Dacin e Haradinajn, kur këta i kërkuan bashkëpunim. Në përvjetorin e Kushtetutës, më 15 qershor të këtij viti, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në KTV ua hapi sytë deputetëve, duke u treguar mundësinë e çuarjes së rastit në institucionin e tij. Deputeti i pavarur, Naim Rrustemi, me shumë vështirësi mblodhi nënshkrimet e nevojshme dhe çoi lëndën në Gjykatë. Dhe në ditën kur shtrëngoi dorën me presidentin amerikan, Barack Obama, mijëra kilometra larg, gjykatës të Gjykatës Kushtetuese do të vulosnin fatin e tij politik. 7 nga 9 gjykatësit e konstatuan se Sejdiu e shkeli seriozisht Kushtetutën duke mbajtur të dyja postet. Vendimi u bë publik pas dy ditësh, të nesërmen nga New Yorku Sejdiu u kthye nervoz, e të hënën dha fjalët e fundit nga Zyra presidenciale. La në gjysmë një porosi për makina të reja xhip, në të cilat do të hipë dikush tjetër. (koha)
Shtuar më 28/09/2010, ora 13:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori