Marrëveshja për të pagjeturit, hapi i parë pas Ohrit – Borrell neutral, palët me interpretime

Bashkimi Europian lajmëroi se gjatë takimit të djeshëm të nivelit teknik mes Kosovës dhe Serbisë, palët kanë arritur marrëveshje për deklaratën e personave të zhdukur. Tashmë ajo pritet të miratohet në nivelin e lartë mes Kurtit e Vuçiqit. Sidoqoftë, palët po japin versione të ndryshme për një temë të ndjeshme.

Kryediplomati i BE-së Josep Borrell sot doli me një deklaratë për atë që u arrit dje në takimin e parë të Kosovës dhe Serbisë në nivelin teknik pas marrëveshjes së arritur.

“Marrëveshja që ata arritën për tekstin e deklaratës për personat e zhdukur gjatë takimit të djeshëm të kryenegociatorëve është hapi i parë. Ne do ta miratojmë atë në nivel liderësh në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë që do ta mbaj”, ka shkruar Borrell në Tëitter sot.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dje pas takimeve në Bruksel foli për rezultatet e tyre, por nuk foli gjatë për këtë çështje vetëm tha se folën edhe për “punën e marrëveshjes për të pagjeturit”.

Sidoqoftë, këtë lajm sot e dha kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Andin Hoti.

“Dje, pas më shumë se 1 vit negocimi në Bruksel, Serbia më në fund pranoi deklaratën për personat e zhdukur (e cila pritet të miratohet nga Kryeministri Kurti dhe Vuçiq në ditët në vijim). Për herë të parë pas shumë sfidave dhe pas 24 vitesh arritëm ta imponojmë adresimin e drejtë të përgjegjësisë për të zhdukurit, si viktima të luftës që kërkojnë zgjidhje dhe drejtësi në bazë të konventave ndërkombëtare”, ka njoftuar ai.

“Prandaj më nuk do të ketë vetëm persona të zhdukur, por persona të zhdukur me dhunë nga shteti serb”.

Por, për këtë Serbia pretendon ndryshe.

Kryenegociatori i palës serbe, Petar Petkoviq, duke thënë se marrëveshja për personat e pagjetur do të miratohet gjatë takimit të nivelit të lartë, tha se nuk e kanë pranuar pjesën për “zhdukjen e dhunshme”.

“Do të shtoja se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha kushtet dhe nuk e kemi pranuar atë të përmendur në konventën ndërkombëtare për zhdukjen e dhunshme, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e shtetit të Serbisë”, ka thënë Petkoviq.

Serbia thotë se kjo marrëveshje për të pagjeturit nuk është nënshkruar më herët për shkak të insistimit të Qeverisë së Kosovës për “një formulim të papranueshëm për Beogradin”.

Andin Hoti në deklaratën e tij ka shpjeguar se me çka ngarkohet tash Serbia pasi ta miratojë këtë deklaratë.

“Gjithashtu, më duhet të theksoj si tepër të rëndësishme, që me anë të kësaj deklarate Serbia detyrohet të marrë përsipër hapjen e arkivave dhe prezantimin e dokumenteve sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë.Sapo të pranohet deklarata nga niveli i lartë, do t’i publikojmë edhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zbatimin e kësaj deklarate” ka theksuar ai.

Tutje ai ka thënë se ky është vetëm hapi i parë dhe se marrëveshja duhet të zbatohet.

“Pavarësisht që më duhet të them që për mua si familjar, ky është vetëm hapi i parë në adresimin politik të çështjes së personave të zhdukur me dhunë dhe rëndësia e kësaj deklarate arrihet në momentin e respektimit dhe zbatimit të plote të saj, për çka presim përkrahjen e fuqishme dhe të nevojshme nga miqtë tanë ndërkombëtarë, SHBA e BE. Mbetet edhe shumë pune dhe përpjekje për tu bërë që të arrijmë në qëllimin tonë kryesor: Zbardhjen e fatit të personit të fundit të zhdukur me dhunë në Kosovë”, ka theksuar Hoti./Gazeta Express

 


Shtuar 5.04.2023 15:28