Mediat botërore japin alarmin për një luftë Kosovë-Serbi
Vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviç, në Mitrovicë, është pasqyruar gjerësisht në median botërore, me shqetësimin kryesor se ky akt mund të çojë në hapa prapa në marrëdhëniet midis dy vendeve por edhe për stabilitetin në rajon.

“Një politikan i njohur serb u vra pranë zyrave të partisë së tij në veriun e Mitrovicës, të mbizotëruar nga serbët”,- shkruan BBC.

Associated Press citon ministrin e jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili deklaroi se atentati kundër Ivanoviç është “një akt i pakuptimtë terrorist”.

“Kur vihet në rrezik stabiliteti i Kosovës veriore, stabiliteti i gjithë Kosovës dhe i gjithë rajonit është i kërcënuar”,- tha Daçiç nga Mali i Zi, ku është për vizitë.

“Zëri i Amerikës” gjithashtu u referohet bisedimeve në Bruksel dhe rritjes së tensionit që sjell ky akt. “Vrasja erdhi në ditën kur Serbia e Kosova do të rinisnin bisedimet në Bruksel, për normalizimin e marrëdhënieve. Pas atentatit, Serbia u tërhoq nga takimi”.

“Deutsche Welle”, shton se: “vrasja do ta rëndojë konfliktin që vlon”.

“The Guardian” vë në pikëpyetje rolin e forcave ndërkombëtare paqeruajtëse, të cilat “mbyllin një sy para krimit të organizuar”.

“Vdekja e tij mund ta komplikojë më tepër marrëdhënien e trazuar midis Kosovës e Serbisë, e cila vazhdon ta konsiderojë rajonin si provincë rebele. Ajo ngre pyetje edhe për misionet ndërkombëtare paqeruajtëse dhe ligjzbatuese, për të cilat kritikët thonë se mbyllin një sy para krimit të organizuar”,- shkruan gazeta angleze.

“I njohur si i moderuar midis politikanëve serbë në Kosovë, Ivanoviç ka qenë kryeinterlokutor për zyrtarët e NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian me bazë në Kosovë pas luftës”,- vë në dukje “New York Post”.

“Il Corriere della Sera” gjithashtu shkruan se, Ivanoviç ishte një politikan i moderuar, por jo të gjithë serbët e donin dhe kërcënimet për të nuk kanë qenë gjë e panjohur.

“New York Times”, e quan “një zë lider për bashkë-ekzistencë etnike” në Kosovë.

“Ndonëse shihej si i moderuar, Ivanoviç u përball me akuza për krime lufte, të cilat ai dhe aleatët e tij i përshkruan si të nxitura politikisht”,- vazhdon gazeta njujorkeze.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, këmbënguli se, qeveria e tij nuk kishte dorë në aktin terrorist dhe fajësoi shqiptarët, të cilët duan të marrin nën kontroll enklavat serbe.

Por një lider i opozitës, Sasha Jankoviç, vuri në dukje se qeveria e zotit Vuçiç, të cilën ai e përshkroi si shtypëse, ka qenë tepër kritike kundër Ivanoviç në të kaluarën.

“Kushdo që ta ketë bërë këtë – dhe ne nuk e dimë se kush është – punon kundër interesave të serbëve, të Serbisë, popullit shqiptar dhe kujtdo tjetër”,- tha ai.

Të gjitha agjencitë dhe gazetat kanë vënë në dukje faktin që Ivanoviç u akuzua për vrasjen e katër shqiptarëve dhe u dënua me nëntë vjet burg, vendim i ndryshuar më pas. Ai ishte në arrest shtëpie deri në prill 2017 dhe më pas mund të lëvizte lirisht. /albeu.com/
Shtuar më 16/01/2018, ora 17:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori