Shtyhet mësimi deri të hënën e ardhshme
Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ka marrë vendim që mësimi në nivel vendi, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, të shtyhet deri me datë 20 shkurt.

Vendimi për shtyrjen e fillimit të mësimit në të gjitha shkollat, është marrë si rezultat i temperaturave të ulëta që po mbretërojnë në Kosovë dhe reshjeve të vazhdueshme të borës

“MASHT ka marrë vendim që të shtyhet mësimi deri në të hënën e ardhshme, më 20 shkurt, në nivel vendi, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme. Ky vendim është marrë për shkak të motit, reshjeve të vazhdueshme dhe paralajmërimeve për vazhdimin e temperaturave të ulëta dhe natyrisht pas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit”, ka thënë për “Kosovapress”, Besa Bytyqi, zyrtare për Informim në MASHT.

Ndryshe, Ministria e Arsimit gjithashtu i garanton të gjithë prindërit dhe shkollat, se asnjë ditë e humbur nuk do të mbetet pa u zëvendësuar. Ato mund të zëvendësohen në fund të vitit shkollor apo me ndonjë kalendar të ri që do ta bëjë MASHT.
Shtuar më 12/02/2012, ora 11:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori