Shtohet pakënaqësia e qytetarëve ndaj Thaçit, vlerësohet Haradinaj
Ka shënuar ngritje kënaqshmëria e qytetarëve për punën e kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrin, ndërsa ka shënuar rënie të lehtë kënaqshmëria për punën e presidentit.

Kështu është thënë sot gjatë lansimit të raportit “Pulsi Publik- XV”, të publikuar nga UNDP.Menaxheri i projektit “Pulsi Publik”, Arben Qirezi tha se kënaqshmëria për punën e presidentit nga 39.1 për qind sa ka qenë në sondazhin e muajit maj 2018, ka rënë në 38.4 për qind në nëntor të vitit 2018, ndërsa kënaqshmëria me punën e kryeministrit sa ka qenë 33.2 për qind është rritur në 35.1 për qind, puna e kënaqshmërisë për punën e kryetarit të kuvendit, është rritur nga 31.5 në 36.3 për qind. Qirezi ka thënë se kënaqshmëria me punën e gjyqësorit është rritur nga 31.2 në 37.8 për qind. Ai ka thënë se tri problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët janë papunësia, korrupsioni dhe varfëria.

Ndërsa, sipas tij, Dogana, KEDS-i dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit janë institucionet më të korruptuara duke iu referuar sondazhit “Pulsit publik”.

Sipas Qirezit, gatishmëria e qytetarëve për t’u bashkëngjitur protestave për arsye politike, ka shënuar ngritje nga 37.8 për qind në 39.5. Ai ka shtuar se gatishmëria më e ulët për t’iu bashkëngjitur protestave ka qenë në prill të vitit 2016, ku vetëm 25.5 për qind kanë qenë të gatshëm për protesta.

Sipas këtij sondazhi, ka një rënie të lehtë të besueshmërisë ekonomike, ndërsa rreth lirisë mediave, 59.1 për qind e qytetarëve të Kosovës mendojnë se ato e gëzojnë lirinë e shprehjes, që është një rritje prej 6.3 për qind.

Pulsi Publik XV, i lansuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), është financuar si projekt nga USAID. Sondazhi shqyrton situatën socio-ekonomike në Kosovë duke analizuar perceptimet e çështjeve politike, ekonomike, të sigurisë dhe të zhvillimit. Përveç treguesve të zakonshëm kyç, kjo përmbledhje gjithashtu shqyrton njohuritë e kosovarëve për mjedisin dhe ndikimin e tij në shëndetin e njeriut. Anketa, e cila u zhvillua në nëntor 2018, përfshiu 1306 kosovarë mbi moshën 18- vjeç. /KosovaPress/


Shtuar më 21/02/2019, ora 14:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori