Shqyrtohet masa e sigurisë edhe për Shefqet Krasniqin
Pëlqej
Gjykata e Apelit ka vendosur ta shqyrtojë masën e paraburgimit për imamin Shefqet Krasniqi.

Megjithatë, njoftohet se imami do të qëndrojë akoma në paraburgim deri në një vendim të ri për të.

Ky është vendimi i Gjykatës së Apelit

KTHEHET NË RIVENDOSJE ÇËSHTJA E CAKTIMIT TË MASËS SË PARABURGIMIT NDAJ TË PANDEHURIT SH. KRASNIQI

Një kolegj penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Sh. Krasniqi, lidhur më aktvendimin PPR.KR.453/2014, të datës 19.09.2014, nxjerrë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, sipas të cilit këtij të fundit i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji.

Gjykata e Apelit ka vendosur që ky aktvendim të anulohet dhe çështja t’i kthehet Gjykatës Themelore në fjalë për rivendosje. I pandehuri po ashtu do të mbetet në paraburgim deri në marrjen e vendimit të ri- njofton Zyra për Informim e Gjykatës së Apelit.

Sh. Krasniqi dyshohet se ka kryer veprat penale :

Shpëlarje e parave nga neni 32 par.2,nënparagrafi 2.5 dhe 2.6 të Ligjit mbi parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit; Shtytje për kryerjen e veprave terroriste nga neni 141 i Kodit penal të Kosovës dhe Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtarë, racorë, fetarë apo etnik, neni 174 i këtij kodi.

Kolegji pas shqyrtimit të shkresave të çështjes dhe ankesës së mbrojtësit të të pandehurit Krasniqi, vlerësoi se aktvendimi i atakuar duhet anuluar dhe kthyer për rivendosje për shkak se i njëjti përfshinë shkelje esenciale të dispozitave 187 të KPK-së.

Kjo ngase gjykata e shkallës së parë në arsyetimin e aktvendimit të atakuar nuk ka dhënë fare arsyet e duhura dhe vendimtare mbi dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale për të cilat është duke u hetuar./albeu.com/




Shtuar më 26/09/2014, ora 15:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori