Shqiptarët e Maqedonisë të kërkojnë ndryshime kushtetuese
Marrëveshja mes subjekteve politike shqiptareMaqedoni, ka ngjallur interes edhe në Prishtinë.

Lidhur me platformën e përbashkët, e cila ka bërë që shumë shqiptarë t'i gëzohen, Lëvizja për Bashkim si organizatë politike nga Kosova, ka thënë se pas shumë përpjekjeve dhe pas një pune të koordinuar edhe nga ana e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare, faktori politik shqiptar në Maqedoni sot doli me një dokument të përbashkët, ku u përvijuan kërkesat kryesore të tij për qeverinë e ardhshme në Maqedoni.

Lëvizja për Bashkim uron përfaqësuesit e partive politike shqiptare për këtë hap dhe konsideron se është e domosdoshme që përfundimisht shqiptarët të fillojnë të flasin me një zë e të mos shndërrohen në patericë të qeverisjeve të partive politike maqedonase.

Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që ky unitet të mos jetë vetëm një episod formal për të tejkaluar presionin e opinionit publik shqiptar, por të përbëjë bazamentin e një mendësie të re të politikëbërjes në funksion të realizimit të të drejtave të shqiptarëve.

Megjithatë, Lëvizja për Bashkim dëshiron të tërheqë vëmendjen e palës shqiptareMaqedoni që të jetë shumë e kujdesshme në mënyrën e artikulimit të kërkesës për njohjen e shqiptarëve si popull shtetformues.

As Marrëveshja e Ohrit, as Kushtetuta e Maqedonisë nuk ia njohin popullit shqiptar në Maqedoni këtë të drejtë.

Prandaj, në fokus të kërkesave të partive shqiptare do të duhej të jenë pikërisht ndryshimet kushtetuese përmes të cilave shqiptarët do njiheshin si popull shtetformues në Maqedoni. /albeu.com/
Shtuar më 08/01/2017, ora 14:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori