Shqiptarët në Serbi "nën-minoritetet", serbët në Kosovë "super-minoritetet"
Lëvizja VETËVENDOSJE shpreh shqetësimin e saj për vazhdimin e shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. Reagimi lidhet me padinë e ngritur nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, e cila kërkon të akuzojë shqiptarët vetëm për shkak se në qytetet e fshatrat ku ata jetojnë, përdorin si simbol dekorues dhe identifikues flamurin kombëtar shqiptar me rastin e festës kombëtare.

"Përdorimi i flamurit kombëtar është një e drejtë të cilën shqiptarët nuk e kanë braktisur kurrë, as në momente më të vështira të historisë së tyre në shekullin XX. Këtë të drejtë shqiptarët nuk do të lejojnë që ta shtypë as Serbia e shekullit XXI.

Nisja e procedurave ligjore ndaj Ilirian Jusufit, vetëm për shkak se ky e ka stolisur biznesin e vet me flamurin kombëtar në 28 nëntor, nuk është gjë tjetër veçse shprehje e lirisë të konfirmuar në konventat ndërkombëtare nënshkruese e të cilave është edhe Republika e Serbisë.

Por, Republika e Serbisë me sa duket e konsideron shfaqjen publike të flamurit shqiptar si prishje të rendit publik. Ky shtet vijon të jetë armiqësor ndaj shqiptarëve, dhe shtypës i identitetit, lirive e të drejtave të tyre, duke përdorur metoda tashmë të vjetëruara. Kjo nuk është hera e parë që autoritetet e Serbisë keqtrajtojnë simbolikën kolektive të shqiptarëve vendas, dhe një rast tjetër shqetësues ka qenë heqja me dhunë e lapidarit të UÇPMB-së, me të njëjtin arsyetim.

Situata e shqiptarëve në Serbi është në kontrast të dukshëm me situatën e serbëve në Kosovë, të cilët falë politikave ndërhyrëse të Serbisë, falë paaftësisë së pushtetarëve kosovarë dhe falë diskriminimit në Bruksel, janë shndërruar tashmë në një super-minoritet. Serbët në Kosovë jo vetëm që gëzojnë të drejtat që nuk i kanë shqiptarët në Serbi, përdorin simbolet e tyre, shkollohen në gjuhën e tyre, etj. por gëzojnë edhe liri e të drejta që asnjë minoritet nuk i gëzon, dhe asnjë konventë nuk i parashikon. Ata janë më pak se 5% e popullatës, dhe gradualisht po forcojnë kontrollin e tyre në afër 20% të territorit, përmes një procesi që nisi me decentralizimin dhe po përfundon me asociacionin.

Ky kontrast, kjo asimetri është e padurueshme. Super-minoritetet dhe nën-minoritetet janë koncepte që sfidojnë barazinë dhe reciprocitetin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje forcave politike e institucionale shqiptare, shoqërisë civile e medias, në Shqipëri e Kosovë që t’i kushtojnë më shumë vëmendje çështjes së të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pasi ne, si komb, nuk mund të lejojmë që një pjesë e jona të trajtohet në mënyrë të padenjë, apo të pabarabartë.

Po ashtu, i tërheqim vëmendjen aktorëve ndërkombëtarë që të angazhohen në këtë rast për të mbrojtur ato vlera që vazhdimisht propagandohen si universale", thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje. /albeu.com/
Shtuar më 07/04/2015, ora 11:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori