Shqiptarët e Luginës: Serbia po na injoron
Pëlqej
Kryetari i Shoqatës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë, Nehat Hyseni, i ka shkruar letër Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministrit Hashim Thaçi dhe Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqit, përmes së cilës i ka shprehur shqetësimet për faktin se Qeveria e Kosovës në bisedimet e Brukselit dhe Marrëveshjen e 19 prillit 2013, nuk e përfshiu fare çështjen e Luginës.

Në këtë letër thuhet se qeveria e Kosovës nuk po bën sa duhet për shqiptarët e Luginës, ashtu sikundër bën Serbia për serbët në Kosovë, nuk bëhet sa duhet për hapjen e zyrave shqip në Luginë dhe as për shkollimin dhe mirëqënien e shqiptarëve në Preshevë.

“Konsiderojmë se kujdesi institucional i Republikës së Kosovës është i domosdoshëm, si për shqiptarët e shpërngulur të Luginës që jetojnë në Kosovë, prej të cilëve një pjesë e madhe nuk ka dokumentacion të Kosovës, e as të Serbisë, ashtu edhe për ndaljen e shpërnguljes së shqiptarëve që jetojnë në Luginë. Ata zyrtarisht trajtohen si ‘qytetarë të padukshëm’, pa mundësi lëvizjeje të lirë, me probleme e kokëçarje të mëdha që u shkaktohen atyre nga fakti se institucionet e Kosovës i trajtojnë si ‘jo kosovarë’, kurse në Serbi keqtrajtohen e diskriminohen si ‘jo serbë"”, thuhet në letër.

Shoqata e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që jetojnë e veprojnë në Kosovë, e konsideron të domosdoshme dhe urgjente që të zbatohet Rezoluta e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të themelohen zyrat në Prishtinë e Gjilan, që problemet dhe hallet e shqiptarëve në Luginë të gjejnë zgjidhje në mënyrë institucionale. /albeu.com/
Shtuar më 24/09/2014, ora 11:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori