Shqiptarët e diasportës mashtrohen me biletat e avionit
Besim Syla nga Gjilani kishte paguar 429 franga biletën për Prishtinë me agjencinë Prishtina Travel, me seli në Emmen, e cila thuhet të ketë mashtruar edhe udhëtarë të tjerë, raporton albinfo.ch.

"Me keqardhje ju njoftojmë se rezervimet tuaja janë anuluar, marrëveshjet tona me kompanitë e fluturimeve kanë dështuar! Kthimi i të hollave do fillojë menjëherë nëpërmes bankës, të dhënat tuaja i dërgoni në e-mailin:[email protected]", ky është mesazhi telefonik që e ka marrë të enjten Besim Syla 3 ditë para udhëtimit.

Edhe R.M. nga Zyrihu kishte pasur fatin e njëjtë. Ai kishte paguar 400 franga një biletë për Prishtinë, që tashmë po del të jetë e rreme.

R.M., punëtor shumëvjeçar në Aeroportin e Cyrihut, me origjinë nga Gjilani, kishte kontaktuar në Aeroport të Zyrihut për të marrë konfirmimin nëse është në listë të udhëtarëve, por nuk e kishte gjetur emrin e tij.

"Ajo që ju ka bërë juve që mos të dyshoni se është mashtrim ka qenë fletëpagesa që është bërë me postë. Biletat janë dukur sikur origjinale me të gjitha të dhënat që nuk mund të dyshohet se është mashtrim", thotë R.M. duke sugjeruar të tjerët udhëtarë që mos të bien pre e mashtrimeve të matrapazëve të biletave.

Policia e Cyrihut kishte paralajmëruar ditë më parë udhëtarët për mashtruesit me mesazhe telefonike.

Policia e këtij Kantoni në Zvicër ka thënë se mashtruesit janë kthyer në "aksion" për të mashtruar kosovarët, të cilët udhëtojnë për Prishtinë.

Në një komunikatë për media që ka lëshuar kjo Polici, thuhet se në prag të kohës së pushimeve numri i këtyre mashtrimeve ka filluar të rritet.

"Policia u rekomandon atyre që udhëtojnë drejt Kosovës të mos u besojnë mesazheve të ardhura në telefon", thuhet në komunikatën e Policisë së Zyrihut. /albeu.com/
Shtuar më 11/07/2015, ora 11:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori