Shqipëria ndërmerr hapin e rendësishëm për Kosovën në OKB
Ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Besiana Kadare, ka parashtruar një kërkesë me rëndësi të madhe gjatë debatit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për dhunën seksuale në konflikte, organizuar nga Presidneca gjermane e Këshillit dhe e drejtuar nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Mass.

Ambasadorja Kadare i ka bërë thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, që në raportin e tij të ardhshëm mbi dhunën seksuale në konflikte ta përfshijë edhe Kosovën,

“Unë vij nga një rajon i cili në një të kaluar jo të largët ka jetuar trashëgiminë shkatërruese të dhunës seksuale, e cila është përdorur si taktikë dhe armë lufte.

Këtua dua ta përmend rastin e Kosovës, ku dhuna seksuale është përdorur sistematikisht dhe qëllimshëm si armë lufte gjatë konfliktit në fund të viteve ’90“.

“Mbi 20.000 të mbijetuara ende sot vuajnë në heshtje, të izoluara nga stigma dhe diskriminimi. Me gjithë provat ekzistuese, asnjë rast nuk është dënuar deri më tani”, u shpreh ambasadorja Kadare duke theksuar se përfshirja në raportin e OKB-së për këtë çeshtje do ta lehtësonte identifikimin e të mbijetuarave, “duke i ndihmuar ato të përballen me paragjykimet dhe turpin, si dhe do të vinte në pah përvojën e vlefshme të Kosovën në mbështjetjen e viktimave, si një shembull i mirë për rajonin dhe më gjerë”.

Ambasadorja e Shqipërisë ka theksuar se “prioritet është që padënueshmëria e këtyre krimeve të marrë fund“, duke e potencuar domosdoshmërinë për “zero tolerancë ndaj shfrytëzimit të përdhunimit si mjet të luftës. Vendet anëtare të OKB-së duhet gjithashtu të zbatojnë politika për ta zhvendosur stigmën prej viktimave drejt autorëve të krimit”.

Vlen të theksohet se Shqipëria ka qenë i vetmi vend që përmendi Kosovën gjatë këtij debati.

Ambasadorja Kadare është takuar edhe me ish-presidenten Atifete Jahjaga, për të cilën ka thënë se “është duke bërë punë të jashtëzakonshme që t’iu japë zë të mbijetuarave të dhunimeve gjatë luftës dhe t’i luftojë paragjykimet me të cilat ballafaqohen. Zgjidhja është tek qasja e përqendruar te të mbijetuarat”.

Jahjaga është shumë e angazhuar në ndihmën ndaj të mbijetuarave, duke u bërë zëri i tyre në forumet nërkombëtare.
Shtuar më 26/04/2019, ora 10:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori