Shqipëria heq simbolet kombëtare nga Abetarja
Abetares në gjuhën shqipe, që iu dhurua nxënësve të Luginës së Preshevës nga qeveria shqiptare, me rastin e vitit të ri shkollor, i janë hequr simbolet kombëtare dhe ato shtetërore.

Në një faks, të cilin e ka siguruar dje "Gazeta Shqiptare", Ambasadori i Republikës së Shqipërisë i akredituar në Beograd Shpëtim Çaushi, rezulton të ketë dhënë pëlqimin e tij për këtë akt.

Në një letër zyrtare të shkruar në serbisht dhe që i drejtohet Ministrit të Arsimit e Shkencës së Serbisë, Zarko Obradoviç, Çaushi shkruan mes të tjerash se "në lidhje me letrën tuaj kemi nderin t'ju njoftojmë që organet përgjegjëse shqiptare janë dakord me sugjerimet e shprehura në letrën tuaj dhe që Abetarja dhe Fletorja e Punës të riprodhuara, të mënjanojnë simbolet kombëtare dhe shtetërore".

Ky faks iu është dërguar për dijeni edhe Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe Vetadministrimin Lokal, Milan Markoviç, Ambasadorit të OSBE-së në Beograd, Dimitrios Kypreos si edhe kryetarit të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Serbi, Galip Beqiri.

Shqiptarëve të Luginës së Preshevës iu është mohuar e drejta që flamuri kombëtar të figurojë, madje, edhe në brendi të Abetares së shkollarëve të klasës së parë.

Qeveria serbe ka kërkuar që ky libër të hiqet nga përdorimi, pikërisht për shkak se në faqen ku mësohet shkronja F, figuron flamuri kombëtar shqiptar. Dhe kjo është pranuar nga Tirana zyrtare.

Qeveria e Shqipërisë në datën 14 shtator nga dërguar si "dhuratë" në Luginën e Preshevës një mijë copë Abetare, të punuara me "standardet" e kërkuara nga qeveria e Serbisë, pra duke hequr flamurin dhe simbolet tjera kombëtare nga brendia e saj.

Paraprakisht, kësaj i ka prirë një dakordim nga vetë Ambasada e Shqipërisë në Beograd.

Shtuar më 03/10/2011, ora 10:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori