Shpërndahen vulat rrethore në të gjitha bashkësitë lokale të Komunës së Prishtinës
Pëlqej
U bë sot shpërndarja e vulave rrethore në të gjitha bashkësitë lokale të Komunës së Prishtinës. Gjithsej 28 vula rrethore janë prodhuar për nevojat e bashkësive lokale. Në ceremoninë e shpërndarjes së vulave ishin prezent referentët e bashkësive lokale.

Në konferencën për media, Nënkryetari Dardan Sejdiu dhe Drejtori Muhedin Nushi thanë midis të tjerash se kjo është faza tjetër e procesit të gjatë të fuqizimit të bashkësive lokale. Një nga qëllimet kryesore e kësaj qeverisje lokale është që çdo bashkësi lokale të ketë edhe zyrtarin e vet i cili do të lëshojë dokumente nga sistemi i regjistrimit civil.

Në këtë mënyrë do të adresoheshin kërkesat e qytetarëve më shpejt, ndërsa bashkësitë lokale do të përkujdeseshin për pajisjen e banorëve të lagjes së tyre me të gjitha dokumentet.

Kjo do të ndodhë në fazat e mëtejmë të fuqizimit të bashkësive lokale. Kjo sot është vetëm një fazë në procesin e fuqizimit të vazhdueshëm të bashkësive lokale.

Iniciativa e qeverisjes komunale dhe e Drejtorisë së Administratës, vjen pas kërkesave të qytetarëve të bashkësive lokale, të referentëve të bashkësisë lokale si dhe kërkesave të ndryshme për pajisjen e bashkësive lokale me vula me të cilat do të vuloseshin 13 vërtetimet që bashkësia lokale ka autoritet që t'i lëshojë.

Deri më tani qytetarët, pas marrjes së vërtetimit, është dashur që të drejtohen në objektin e vjetër të Komunës së Prishtinës për ta vulosur atë vërtetim. Tash e tutje vërtetimi plotësohet, lëshohet dhe vuloset nga referenti i bashkësisë lokale. Kjo nënkupton se qytetarët nuk kanë nevojë më që për vulosjen e vërtetimit të vijnë në objektin e Komunës.

Shtuar më 30/08/2014, ora 16:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori