Shpallet i pafajshëm vëllai i Zahir Pajazitit
Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli sot aktgjykimin për zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Bajram Pajaziti e Bajram Azemi. Gjykata shpalli të pafajshëm të akuzuarit Bajram Pajaziti e Bajram Azemi.

Bajram Pajaziti është vëllai i Heroit të Kosovës Zahir Pajaziti, ndërsa rasti i Pajazitit dhe Azemit ishte kthyer në rigjykim, pasi themelorja i kishte liruar edhe më herët ata nga akuza për shpërdorim detyre.

Apeli e kishte kthyer këtë rast në rigjykim, ngase kishte konstatuar shkelje të ligjit penal në aktgjykimin e mëhershëm të themelores.

Por, sipas kryetarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti, gjykata në rigjykim të këtij rasti i ka eliminuar shkeljet të cilat i ka gjetur Gjykata e Apelit si dhe në rigjykim gjykata nuk ka konstatuar se të akuzuarit kanë bërë tejkalim të autorizimeve që i kanë pasur në bazë të pozitës si zyrtarë pranë Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Sipas aktakuzës, Bajram Azemi, në cilësinë e kryesuesit të Divizionit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Departamentin për Familjet e Dëshmorëve Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile, si dhe i akuzuari tjetër, Bajram Pajaziti në cilësinë e Drejtorit në po të njëjtin departament, kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, duke i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm Rexhep Haxhës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bajram Azemi e ka nxjerrë një vendim me anë të së cilës Rexhep Haxhës i njihet e drejta në pension të Familjeve të Dëshmorëve, për djalin e tij të ndjerë Bahri Haxha.

Sipas prokurorisë Rexhep Haxhës i ishte ndarë pensioni për djalin e tij të vrarë në maj të vitit 1999, edhe pse Haxha nuk kishte dokument nga Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, i cili ishte i nevojshëm për të përcaktuar ata që janë dëshmorë.

Pajaziti dhe Azemi ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, me pretendimin se Rexhep Haxhës i kanë sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm në shumë prej 13,900,98 euro.
Shtuar më 11/04/2018, ora 13:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori