Shpallet fajtor, 2 vite burg për ish-ministrin e Kosovës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë ish-ministrin e Shëndetësisë dhe ish-sekretarin e MSH-së, Gani Shabanin nën akuzat për korrupsion.

Provat e Prokurorisë Speciale kanë bindur kolegjin prej tre gjyqtarësh në provat kundër ish-ministrit dhe ish-sekretarit të MSH-së.

Në arsyetimin e tyre thuhet se është dëshmuar se të dy këta në bashkëkryerje e kanë dëmtuar buxhetin publik.

Ferid Agani u dënua me 2 vjet e 6 muaj, ndërkaq Gani Shabani me 2 vjet.

Afera “Stetna” njihet si një nga rastet më të mëdha që nga paslufta për të cilin rast është ngritur aktakuzë. Pjesë e kësaj aktakuze janë 64 persona. Për lehtësi në gjykimin e këtij rasti Gjykata Themelore në Prishtinë e pati ndarë procesin gjyqësor në tri raste “Stenta 1”, “Stenta 2” dhe Stenta 3”.

Agani e Shabani ishin pjesë e gjykimit në rastin “Stenta 1”. Në pjesën “Stenta 2” janë të përfshirë mbi 40 mjekë të sistemit publik që akuzohen për referime të jashtëligjshme në dy spitale private në këmbim të 500 euro pagesë për çdo pacient që stentohet si pasojë e këtyre referimeve. Në pjesën “Stenta 3” janë të përfshirë menaxherët e dy spitaleve private që kanë përfituar rreth 4.5 milionë euro nga MSH-ja për një periudhë rreth 3 vjeçare.

Këto spitale janë spitali IMH dhe spitali EDA. Përderisa gjykimi “Stenta 1” ka përfunduar sot në shkallën e parë, Gjykata Themelore nuk ka qenë kaq efikase në gjykimin “Stena 2” dhe “Stenta 3”. Përderisa në “Stenta 2” kanë arritur të mbahen tri seanca që gati tri vjet prej ngritjes se aktakuzës në procesin gjyqësor “Stenta 3” ku janë të akuzuar menaxherët e dy bizneseve ende ligjërisht nuk ka asnjë seancë të përfunduar.

Sipas Prokurorisë Speciale ish-ministri Agani dhe Gani Shabani, ish- sekretar i përgjithshëm janë akuzuar për shkak të veprës penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par.1 dhe 2 nënparagrafi 2.1, 2.2 dhe 2.4 lidhur më nenin 31 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës pretendohej se këta të pandehur duke vepruar në kundërshtim më ligjin për prokurimin publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve Publike Shëndetësore, për periudhën 2012 -2015, i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat IMH në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat EDA në shumë prej 504,595.00 euro apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës ashtu që në vend që të lejoheshin pagesat deri ne 70% të shpenzimeve për trajtim mjekësor, të njëjtit lejuan pagesat prej 100 % edhe për rastet kur nuk ishin plotësuar kushtet ligjore, pra për rastet kur pacientët nuk ishin invalidë të luftës ose raste sociale.
Shtuar më 24/04/2019, ora 16:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori