Politikanët duhet ta trajtojnë si sukses dhe jo si dështim nivelin e lartë të emigracionit

Nga David Gauke “Newstatesman

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Njoftimi i datës 26 maj 2016, se numri i emigrantëve për vitin 2015 kishte arritur në 333.000 ishte një moment kyç në fushatën e referendumit të Brexit. Deri në atë moment, debati ishte fokusuar tek rreziqet ekonomike të largimit të Britanisë nga Bashkimi Evropian. Që nga ai moment, emigracioni ishte në qendër të vëmendjes së shumicës së elektoratit por edhe të fushatave pro Brexit. Dhe rezultoi të ishte një faktor vendimtar. Por ja ku jemi 7 vjet më vonë dhe shifra neto e migracionit për vitin 2022 është 606.000. Më pak se sa pritej, por ende një rekord.

Ky njoftim ka qenë shumë i pritur. Ai është ngjarja kryesore e ditës, dhe në fillim të kësaj jave, qeveria britanike njoftoi një shtrëngim të regjimit të vizave për studentët e huaj. Por krahasuar me valën e vitit 2016, emigracioni është sot më pak problem për votuesit britanikë.

Shifrat që u dhanë së fundmi mund ta ndryshojnë disi qasjen, por deri më sot ajo që ka qenë më e habitshme është mungesa e pasojave politike. Shihni pak sondazhet dhe do të vini re se emigracioni legal nuk është një çështje prioritare për publikun.

Është e vërtetë, varkat e vogla dhe emigracioni i paligjshëm renditen ende në krye të shqetësimeve, por ato janë ende shumë prapa kostos së jetesës dhe krizës që ka përfshirë sistemin shëndetësor kombëtar, NHS. Ne sapo patëm një sërë zgjedhjesh të pjesshme lokale, në të cilat konservatorët humbën disa vende përballë laburistëve, liberal demokratëve dhe të gjelbërve.

Por u pa një rënie e mbështetjes për partitë kundër emigracionit, UKIP, reforma e kështu me radhë. Atëherë çfarë po ndodh? Disa mbështetës të Brexit mund të thonë se vota pro largimit nga BE ishte më shumë për rimarrjen e kontrollit mbi emigracionin sesa për uljen e numrave.

Si një aktivist pro qëndrimit në BE, nuk ndihesha kështu në atë kohë. Gjithsesi për të qenë të ndershëm, ky ishte pozicioni specifik i fushatës zyrtare të Brexit. Sondazhet sugjerojnë se një numër jo i vogël votuesish pro Brexit shqetësohen më shumë për kontrollin sesa për uljen e numrit të emigrantëve.

Pra ata shqetësohen shumë më tepër për 45.000 emigrantët ilegalë që mbërrijnë këtu me varka të vogla sesa për 1.2 milionë të tjerë që mbërrijnë në një mënyrë të sanksionuar nga qeveria. Një qëndrim më i qetë ndaj emigracionit mund të përshkruhet edhe si një përfitim i rrallë i Brexit.

Nëse kjo qasje do t’i mbijetojë këtyre shifrave dhe ankesave gjithnjë e më të zhurmshme se Brexit është tradhtuar, kjo mbetet për t’u parë. Megjithatë argumenti rreth kontrollit të emigracionit, është vetëm një shpjegim i pjesshëm se pse kanë ndryshuar qëndrimet në 7 vitet e fundit.

Si pari, tashmë kemi gjëra më të mëdha për t’u shqetësuar. Edhe pse nuk është në modë të theksohet, vendi ishte në gjendje të mirë ekonomike në vitin 2016. Emigracioni ishte vërtet një shqetësim, por i një lloji që u shkaktua nga një treg pune jashtëzakonisht dinamik.

Në atë kohë ne ishim ekonomia me rritjen më të shpejtë në gjirin e G7-ës, standardet e jetesës po rriteshin (me një rritje veçanërisht të fortë të të ardhurave tek ata që merrnin paga të ulëta), dhe financat publike ishin stabilizuar. Sistemi shëndetësor kombëtar,NHS përballej me presione, por jo si në shkallën sotme.

Rënia e standardeve të jetesës, rritja e ngadaltë ekonomike dhe shërbimet publike të degraduara kanë sot më shumë rëndësi për publikun sesa reduktimit i emigracionit. Madje pjesa më e madhe e publikut e kupton se në rrethanat aktuale ulja e nivelit të emigracionit do t’i përkeqësonte këto probleme më madhore.

Ata që bëjnë thirrje për reduktim të madh të numrit të emigrantëve, duhet të shpjegojnë se ku duhet të ndodhin këto shkurtime. Nëse duam të reduktojmë numrin e vizave të punës, kjo do të thotë më pak infermierë dhe punonjës të kujdesit (101.570 prej të cilëve morën viza pune vetëm vitin e kaluar), gjë që padyshim nuk është një ide e mirë.

Po studentët e huaj? Ata vijnë këtu, paguajnë tarifa shumë të larta shkollimi, shpenzojnë para për mallra dhe shërbime në këtë vend, dhe zhvillojnë në përgjithësi një dashuri për Mbretërinë e Bashkuar, gjë që e forcon fuqinë tonë të butë.

Më pas largohen ose qëndrojnë dhe i shtohen tregun tonë të kualifikuar të punës dhe paguajnë taksat këtu. Kur merren parasysh skenarët në të cilët Britania do të lulëzojë në të ardhmen, çdo opsion realist përfshin një sektor të suksesshëm të arsimit të lartë. Dhe arritja e kësaj pa një numër të madh studentësh të huaj është e pabesueshme.

Po studentët e varur financiarisht nga prindërit? Këtu është fokusuar qeveria konservatore këtë javë, dhe ky është një numër në rritje. Ndoshta këtu ka vend për një masë shtrënguese, por në përgjithësi po flasim për partnerët e rinj dhe të mirë-arsimuar të studentëve plus fëmijët e tyre.

Ata zotërojnë mjete financiare për të mbajtur veten. Nëse pengoni ardhjen e tyre, do të ndaloni edhe ardhjen e studentët. Ajo që bëhet e dukshme shumë shpejt, është se sot jetojmë në një botë shkëmbimesh. Shumë shpesh, njerëzit që vijnë në Britani na ofrojnë diçka që duam, sidomos në një kohë kur shumë njerëz janë larguar nga tregu i punës për shkak të pandemisë dhe kur po nisim të shohim pasojat e një popullsie në plakje.

Largimi i tyre ka një kosto. Ndryshimi më i madh që nga viti 2016, është se sot ekziston një ndërgjegjësim më i madh për balancën e argumenteve. Është e vertetë: ka kufizime mbi numrin e emigrantëve që mund të absorbohen pa krijuar probleme për kohezionin e komunitetit.

Në rastin e emigrantëve ekonomikë, një vend ka të drejtë të pyesë veten se cili është interesi më i mirë për të, të vendosë rregulla në përputhje me rrethanat, si dhe të jetë në gjendje t’i zbatojë ato. Por shumë shpesh vitet e fundit ne ia kemi nënshtruar interesat tona ekonomike motiveve të tjera.

Në rastin e emigracionit, opinioni publik ka kaluar në një pozicion më pragmatik. Në vend se të reagojnë me tmerr ndaj numrave të sotëm, politikanët tanë duhet të njohin dhe mirëpresin ndryshimin e qëndrimeve publike. /albeu.com


Shtuar 27.05.2023 11:18