Shkarkimi i task forcës kundër korrupsion, reagon Haradinaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas shkarkimit të task forcës kundër korrupsion nga kryeministri Avdullah Hoti, duke thënë se shkakton pasiguri juridike.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.

Sipas Haradinajt, kjo Task-forcë ka funksionuar më shumë se 10 vite.

“Kanë hetuar dhe kanë qenë në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë në bazë të mandatit të tyre. Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si ShBA dhe BE. Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura.

Gjatë mandatit tim si Kryeministër jam ballafaquar me disa raste për të cilat ka pasur vendim për hetime ose aktakuzë. Vendimi im ka qenë që të ruaj sistemin dhe ta fuqizoj të njëjtin. Kam rritur rrogat e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve dhe ju kam dhënë pavarësi të plotë. Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Kjo task forcë vepronte në kuadër të Policisë së Kosovës.
Shtuar më 24/10/2020, ora 14:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori