SHÇBA “i hodhi” prangat, kush është Qetsor Gurra dhe çfarë e lidh me masakrën e Pukës

Paraditen e sotme ra në prangat e policisë shtetasi Qetsor Gurra, pedagog i Akademisë së Sigurisë në Policinë e Shtetit.

Ndaj tij kishte nisur një hetim nga Drejtoria Rajonale në Tiranë e Shërbimeve për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Mësohet se Prokuroria e Pukës ka çuar për hetim Gurrën gjatë kohës që ka qenë i emëruar në gradën Komisar në Pukë.

Bashkë me Gurrën u dërguan për hetim edhe shefi i Komisariatit të Pukës, kryekomisar Ridvan Bushati, shef i seksionit të hetimit dhe parandalimit të krimit, nënkomisar Kol Zaja, specialist i të njëjtit seksion dhe kryeinspektor Lulzim Latifi, nënspecialist.

Të gjithë zyrtarët u hetuan për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me vrasjen e dyfishtë që ndodhi më 29 qershor 2012, kur konfliktet mes familjes Markaj dhe Përmarkaj arritën kulmin me përdorimin e kallashnikovëve.

Ç’ndodhi më 29 qershor?

Hil dhe Paulin Markaj, vëllezër me njëri-tjetrin u ekzekutuan me armë zjarri dhe tre persona të tjerë nga e njëjta familje mbetën të plagosur pas një sherri për pronën. Ngjarja ndodhi pas një konflikti mjaft të hershëm mes fisit Markaj e Përmarkaj lidhur me një vijë uji vaditëse në tokat e tyre. kjo ngjarje mori edhe emrin masakra e Pukës. Për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen e tre të tjerëve, policia arrestoi dy autorët Fran dhe Bardhok Përmarkaj./albeu.com/