Statistikat alarmante brenda komisariateve, Karamuço: Ndalohen të gjithë ata që nuk kanë një kartë identiteti

Për ekspertin e kriminalistikës Ervin Karamuço nuk ka një koherencë mes deklaratave për shtyp të Policisë së Shtetit apo të mjekësisë ligjore në lidhje me rastin e ekspertizës së Lear Kurtit. Sipas tij këto institucione duhet të trajnohen për mënyrën sesi i bëjnë deklaratat për shtyp, të cilat duhet të respektojnë dinjitetin dhe të drejtat e njeriut.

I ftuar në studion e ABC Live me gazetaren Sibora Bitri, Karamuço u shpreh që nëse flasim për statistikat dhe për atë që po ndodh brenda komisariateve shqiptare statistikat janë alarmante dhe brenda një 6 mujori kemi 3 vdekje në komisaritat dhe disa incidente të tjera të cilat i kanë marrë dhe jetën një punonjësi të policisë.

Sipas tij nga punonjësit e policisë ka përgjegjësi penale dhe administrative, si dhe është tregues i faktit që po çalon dhe drejtimi strategjik i Policisë së Shtetit. Nuk ka një manual të procedurave të shoqërimit, sot ndalohen të gjithë ata që nuk kanë një kartë identiteti, ndërkohë që policia dhe ka shumë mangësi në mënyrën sesi bëhen kontrollet, ndalimi apo postoblloqet.