Serbia veproi në kundërshtim me negociatat
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë vizitës së tij në Strasburg është takuar me kryetarin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz dhe nënkryetarin Lazslo Surjan. Kryetari i PE-së, Martin Schulz vendimin e Beogradit, për t’i shpallur zgjedhjet në Kosovë i cilësoi në kundërshtim me negociatat e zhvilluara në Bruksel.

Në të dy takimet, kryetari Krasniqi falënderoi zyrtarët e PE-së për marrëdhëniet e mira që janë ndërtuar ndërmjet Parlamentit Evropian dhe Kosovës, për rezolutat e miratuara në mbështetje të Kosovës, duke iu bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës, ta ndërmarrin një hap të tillë.

Krasniqi shprehu shqetësimin, sidomos, ndaj qëndrimit që Serbia po mban karshi Kosovës, duke mbështetur strukturat kriminale në veri, duke mos i zbatuar marrëveshjet e arritura dhe duke shpallur zgjedhjet e saj edhe në Kosovë, vendim ky të cilin kryetari Krasniqi e quajti agresion kushtetues dhe ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Kosovës.

Kryetari i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, tha se PE-ja vazhdon të mbajë lidhje të afërta me Kuvendin e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë atë, sikurse edhe në të kaluarën. Ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës është e sigurt dhe se rruga e integrimit evropian të saj nuk ka asnjë kundërshtim. Megjithatë, Schulz tha se ende ka shumë punë për të bërë në këtë proces, ndërsa negociatat në këtë drejtim do të vazhdojnë.

Vendimet e djeshme të Beogradit, për t’i shpallur zgjedhjet në Kosovë, ai i cilësoi në kundërshtim me negociatat e zhvilluara në Bruksel.

Gjatë këtij takimi, prezent ishte edhe kryesuesi i Delegacionit të PE-së për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë - Hercegovinën, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, Eduard Kukan.

Të mërkurën pasdite fillojnë punimet e takimit ndërparlamentar dhe përfundojnë nesër, me miratimin e një deklarate të përbashkët.
Shtuar më 14/03/2012, ora 16:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori