Serbia reagon pas deklaratave të Vjosa Osmanit për spastrim etnik në Luginë të Preshevës
Pas deklarimeve të kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani rreth çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe spastrimit të heshtur etnik të organizuar nga shteti serb, kanë ardhur reagimet e para nga Serbia.

Siç kishte deklaruar Osmani, rreth 60 kilometra në veri-lindje të Prishtinës, shtrihet komuna e Medvegjës.

Sipas Osmanit, kjo komunë, në regjistrimin e vitit 2011 numëronte 7438 banorë dhe tani, ndonëse pa statistika zyrtare, supozohet se në Medvegjë janë të regjistruar afërsisht vetëm 600 shqiptarë.

“Ky reduktim sistematik i popullsisë shqiptare në Medvegjë nuk është i rastësishëm. Privimi nga edukimi e punësimi, cenimi i të drejtave në gjuhë e përfaqësim si dhe shtypja e vazhdueshme e regjimit serb kundrejt shqiptarëve në ato lokalitete ka ndikuar në dyndje të popullsisë shqiptare, për të kërkuar kushte më të mira për familjet e tyre”, kishte shkruar Osmani në Facebook.

Megjithatë, ka vënë në pah Osmani, përgjatë viteve të fundit, Medvegja është vënë në shënjestër të politikës serbe, duke tentuar largimin përfundimtar të çdokujt që flet shqip në ato anë.

“Gjatë vetëm katër viteve të fundit, autoritetet serbe kanë fshirë mbi 4 mijë shqiptarë nga regjistri civil në komunën e Medvegjës”, kishte shkruar më tej Osmani.

Dhe lidhur me këtë, mediumi serb Novosti vlerëson se deklarimet e Osmanit janë për qëllime të përditshme politike.

Gjithashtu, mediumi në fjalë ka shkruar edhe deklarimit të Zoran Stankoviq, kryetar i Trupit Koordinues Qeveritar të Serbisë ku përfshihen edhe komunat e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës.

Duke dashur të mohojë pretendimet e Osmanit, Stankoviq, ka thënë se përfaqësuesi i shqiptarëve është gjithmonë në pozitën e nënkryetarit të komunës, dhe se, për shembull, sipas tij, Lema Xhema është bashkëpunëtori i parë i kryetarit të komunës së Medvegjës për çështje të zhvillimit ekonomik.

Ndërsa sa i përket të drejtës për arsimim të shqiptarëve në këto tri komuna, Stankoviq thotë se fëmijët kanë orë mësimi në gjuhën shqipe dhe se orët e tyre zhvillohen nga mësuesit shqiptarë./telegrafi/
Shtuar më 13/05/2020, ora 12:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori