Serbia përgjoi edhe ndërkombëtarët
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se përveç qytetarëve të Kosovës agjentët serbë kanë përgjuar edhe personalitetet e rëndësishme ndërkombëtare në Kosovë për t’i vënë këto përgjime në dispozicion të shërbimit sekret rus.

Anëtarë të Komisionit për Punë të Brendshme, por edhe të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kanë reaguar një ditë pas publikimit të lajmit në "Zëri" se, Serbia ka përgjuar operatorët telefonikë "Vala" dhe "Z Mobile".

Rexhep Selimi, anëtar i Komisionit për Punë të Brendshme në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se, kjo temë brenda Komisionit është trajtuar edhe më herët qysh prej kohës sa është proceduar Ligji për Përgjime Elektronike.

"Kemi vënë në dukje edhe faktorët tjerë që përgjojnë dhe kanë qasje në përgjimin e qytetarëve. Pra, kemi vërë në dijeni qysh atëherë se kjo infrastrukturë u lejon qasje edhe të tjerëve për përgjime, përveç Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe autoriteteve shtetërore të sigurisë së Kosovës", ka thënë Selimi.

Kosova, sipas tij, do të duhej të ishte më e mbrojtur prej përgjimeve ilegale.

"Sidoqoftë, tash edhe më tutje kur i është lejuar një operatori serb të veprojë në Kosovë, kur i është lejuar qasje dhe forma të tjera përmes antenave të ndryshme, Serbia e ka edhe më të lehtë ta kryejë punën që e ka për qëllim", ka shtuar Selimi. /albeu.com/
Shtuar më 26/01/2016, ora 09:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori