Serbia “njeh pavarësinë e Kosovës” për transitet
Territori i Kosovës tash mund të shërbejë si vend transit për vendet fqinje edhe për mallrat që importohen në Serbi. Kamionë të ngarkuar me mallra në Serbi tashmë kalojnë transit përmes Kosovës për në Shqipëri. Zyrtarë të Doganës së Morinit në Kukës kanë bërë të ditur për “Kohën Ditore” se fillimisht transiti i mallrave përmes Kosovës që importohen në Serbi është bërë nga biznesmenë kuksianë, por është pasuar edhe nga biznese të zonave të tjera të Shqipërisë.

Misri kokërr, mielli dhe koncentrati për blegtorinë, janë disa nga artikujt që Shqipëria po i blen në Serbi dhe po i transporton përmes Kosovës. Më parë mallrat që importoheshin nga Serbia nuk lejoheshin të kalonin transit për në Kosovë, por ato kalonin përmes Malit të Zi për në Shqipëri përmes Hanit të Hotit, duke shtuar koston e transportit të këtyre mallrave.

”Ndërtimi i segmentit të autostradës nga Vërmica në Suharekë do të shtojë akoma më shumë transitin e mallrave përmes Kosovës që Shqipëria do të importojë në Serbi, Maqedoni apo në vendet e tjera të Evropës Qendrore apo Lindore, madje edhe në vendet perëndimore, si Austria. Por ndërtimi i autostradës do të bëjë që edhe Serbia ta përdorë Kosovën si vend transit për të dalë në Portin e Durrësit, shprehen zyrtarët e Doganës së Morinës në Kukës.
Shtuar më 07/11/2011, ora 10:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori