Serbia ndërpret gërmimet për të pagjeturit e luftës në Kosovë
Serbia ndërpret gërmimet në Kizhevac, në vendin e dyshuar për varrezë masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës. Pala serbe është deklaruar se nuk ka mjete financiare për të vazhduar gërmimet.

Kizhevac të Serbisë janë ndërprerë gërmimet që kishin filluar muaj më parë. Qeveria e Serbisë ka ndërprerë këto gërmime duke u arsyetuar se nuk ka mjete të mjaftueshme për të vazhduar gërmimi. KMDLNJ-ja ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare presion mbi Serbinë. Ky Këshill ka deklaruar se Serbia po fyen familjarët e viktimave.

Kryesuesi i Delegacionit për bisedime për Personat e Zhdukur, Ibrahim Makolli, thotë për Zërin se me arsyetimin se duhen mjete të tjera, sepse ato që ishin paraparë në fondin për gërmime përfunduan, janë ndërprerë gërmimet në Kizhevac të Serbisë. Makolli thotë se përgjigja që kanë marrë është se “mjetet që kanë pasur të alokuara për gërmime janë shpenzuar sepse kanë dalë më tepër shpenzime sesa janë paraparë”.

Makolli thotë se delegacionit të Kosovës i është thënë se menjëherë pas krijimit të qeverisë së re do të ketë alokim të mjeteve për të vazhduar gërmimet. Por, Makolli bën thirrje që të mos deklarohen dyshimet për varreza masive në Kosovë pa u ditur saktë se aty ka mbetje mortore. Ai thotë se me deklarata të tilla po luhet me ndjenjat e familjarëve të të pagjeturve. /albeu.com/

Shtuar më 18/06/2016, ora 09:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori